Ndërlidhjet

Shkrimtari Salman Rushdi e di se ka armiq. Ai madje është fshehur për një kohë, pasi autoritetet e Iranit kanë lëshuar një “Fatwa” kundër tij, për shkak të librit “Vargjet e Satanit”. Por, kur Facebook-u, së fundmi, ndërroi emrin e tij të profilit, pa ndonjë paralajmërim, Rushdiu zbuloi një tjetër kundërshtar: Internetin. Protesta e tij kundër politikës së këtij rrjeti social, i cili kërkon emër të vërtetë të profilit, është pjesë e debateve të vazhdueshme në lidhje me përgjegjësitë etike të gjiganteve sociale, si: Facebook-u.


Duke goditur me gishta në tastierë, shkrimtari Salman Rushdi thellohet në të shkruar… Këtë herë jo ndonjë prozë, madje fare letërsi, por thjesht duke u angazhuar në një aktivitet ‘online’.

Kur Facebook-u papritmas ndryshoi emrin e tij nga “Salman Rushdi” në “Ahmed Rushdi”, pa ndonjë paralajmërim, Rushdiu nisi fushatën intensive ‘online’ në shenjë proteste.

Emri përdorues i tij është ndërruar sërish në “Salman”. Rrjeti social ka shpjeguar ndryshimin duke thënë se faqja u lejon njerëzve të përdorin emrin e tyre të mesëm si emër të parë – emri i mesëm i Rushdiut është Salman – kështu që “ishte thjesht një gabim”.

Salman Rushdi

Salman Rushdi

Rasti i Rushdiut është pjesë e një përpjekjeje gjithnjë e më agresive të Facebook-ut për të zbatuar politikën e autenticitetit në mesin e përdoruesve – një kërkesë kjo po ashtu e nxitur nga platformat si Google+.

Kjo polemikë është temë e debateve të vazhdueshme në lidhje me Internetin: A do të jetë një medium ku përdoruesit ‘online’ duhet ta përdorin emrin legal të tyre, apo do të vazhdojë të dominojë kultura e anonimitetit?

Një gjë e tillë ngre shqetësime për aktivistët ‘online’ të shoqërive shtypëse, si: Irani, Azerbajxhani dhe Bjellorusia, ku njerëzit mbështeten në anonimitet, për të rritur sigurinë e tyre.

Tëitter-i, ku Rushdiu ka nisur fushatën e tij ‘online’, nuk kërkon që përdoruesit t’i kenë emrat e vërtetë të tyre.

Facebook-u, në anën tjetër, kërkon që përdoruesit të regjistrohen me emrat e tyre legalë, për të shërbyer si mjet identifikimi për klientë dhe për miliona ueb-faqe dhe aplikacione.

“Facebook-u gjithmonë është bazuar në kulturën e emrit të vërtetë. Ne besojmë se kjo çon në përgjegjshmëri më të madhe dhe në një mjedis më të sigurt dhe më të besueshëm për njerëzit që përdorin këtë shërbim”, thuhet në deklaratën që rrjeti social i ka dërguar Radios Evropa e Lirë përmes email-it.

Facebook-u thuhet të ketë qenë i suksesshëm, pasi u lansua si një platformë e re për liri personale, duke i lejuar çdonjërit që ka qasje në internet, t’i bashkohet komunitetit.

Por, eksperti i teknologjisë, Brus Shnajer, thotë se paratë diktojnë sjelljen e biznesit të madh ‘online’.

“Edhe Facebook-u, edhe Google+ po nxisin politikën e emrave të vërtetë. Ata e bëjnë një gjë të tillë për arsye egoiste. Ata duan të jenë mjete për tregti. Ju nuk jeni klient i Facebook-ut. Ju jeni produkt i Facebook-ut, të cilin ai e shet për klientët e tij. Dhe po, disa njerëz do të largohen, por ata e dinë se shumë të tjerë do të qëndrojnë dhe do të bëjnë më shumë para, sepse ata do të shesin emrat e vërtetë te reklamuesit dhe jo pseudonimet”, thotë Shnajer.

Marrë në konsideratë rastin e Rushdiut, Mahmud Enajati, drejtor i Programit për Mediat Iraniane në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se riaktivizimi i profileve mund të jetë i vështirë për një kategori njerëzish.

“Imagjinoni sikur të mos jeni Salman Rushdi dhe ju e humbisni profilin, pra ju nuk mund ta riktheni atë. Kjo ndodh shpesh. Ata çaktivizojnë shumë profile. Është shumë e vështirë për dikë që jeton në Iran – nëse anglishtja juaj nuk është e mirë, nëse nuk doni të siguroni identitetin tuaj të vërtetë – ta riaktivizojë profilin përsëri thotë”, thotë Enajati.

Ai beson se një gjë e tillë do t’i bëjë aktivistët t’iu kthehen faqeve më “fleksibile” për aktivitetet e tyre ‘online’.

“Gjëja kryesore është se ju nuk mund t’i përdorni këto platforma për qëllime aktivitetesh. Sepse, nëse ju jeni një aktivist, gjasat janë që ju nuk dëshironi ta përdorni emrin tuaj të vërtetë”, thotë Enajati.

Sheshi Tahrir në Kajro, shkurt 2011.

Sheshi Tahrir në Kajro, shkurt 2011.

Facebook-u është përdorur në masë të madhe për të mobilizuar njerëzit të mbushin rrugët e Iranit në protestat e 2009-ës, si dhe për kryengritjet e kohëve të fundit në gjithë botën arabe.

Problemi i Rushdiut ka alarmuar aktivistët ‘online’, të cilët kanë nevojë për anonimitet në Facebook, për shkak të sigurisë së tyre. Këta aktivistë shpesh përdorin emra të maskuar, për ta mbrojtur veten nga hetimet e qeverisë.

Tani, një përdorues i Facebook-ut që operon për shembull nën emrin “Duke punuar për liri”, rrezikon t’i ndryshohet automatikisht pseudonimi në emrin e tij legal – një hap ky që mund ta rrezikojë edhe jetën e tij.

Amnesty International ka publikuar së fundmi një raport, ku radhit pesë vende të caktuara, në të cilat aktiviteti ‘online’ mund të çojë në arrestim. Bëhet fjalë për Kinën, Azerbajxhanin, Sirinë, Vietnamin dhe Egjiptin. (v.t.)
XS
SM
MD
LG