Ndërlidhjet

Stefanoviq: Nuk pranojmë që në Bërnjak dhe Jarinë të ketë kufi


Shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha sot se për Serbinë nuk është e pranueshme që kalimet Bërnjak dhe Jarinë të jenë kufij shtetërorë dhe se të gjitha zgjidhjet për ato do të jenë në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, ligjeve serbe dhe rezolutës 1244.

Këto komente zoti Stefanoviq, i bëri në konferencën për shtyp në Beograd, pas takimit me përfaqësues të serbëve të pjesës veriore të Kosovës.

Ai theksoi se në këtë takim nuk është arritur ndonjë marrëveshje, por e përshkruajti atë si konstruktiv dhe të sinqert. Stefanoviq theksoi se për disa çështje ka pasur mospajtime esenciale.

Këtë konferencë për shtyp ai e mbajti në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë, ndërsa përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore të Kosovës, iu drejtuan gazetarëve ndaras, para ndërtesës së Qeverisë.

Njëri nga përfaqësuesit e serbëve, Kërstimir Pantiq, theksoi se bisedimet me zotin Stefanoviq, kanë përfunduar pa marrëveshje dhe ka paralajmëruar fletparaqitje penale kundër tij, për shkak se, siç tha ai, marrëveshjet e arritura me Prishtinën, janë në kundërshtim me ligjet e Serbisë dhe interesat e popullit serb.
XS
SM
MD
LG