Ndërlidhjet

Zhype: Kërkohet aksion i OKB-së kundër Sirisë


Ministri i jashtëm i Francës, Alen Zhype, ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të veproj kundër presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, duke thënë se ka ardhur koha për forcimin e sanksioneve kundër regjimit të Asadit, për shkak të goditjes së tij brutale ndaj civilëve.

Këto komente ministri Zhype i bëri në një konferencë për shtyp në Ankara të Turqisë, së bashku me ministrin e jashtëm turk, Ahmet Davutogllu.

“Mendoj se do të jetë mirë nëse Këshilli i Sigurimit vjen te vendimi. Nuk është normale që në krizën e një shkalle të këtillë - 3500 të vdekur, 20 mijë të burgosur në burgjet e Sirisë, të trajtuar në mënyrë esktremisht brutale, të torturuar - pra nuk është e pranueshme që Këshilli i Sigurimit mbetet pa përgjigjje. Shpresoj se ata që i bllokojnë të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit, do të jenë të vetëdijshëm për realitetin”, tha Alen Zhype.

Ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutogllu, i ka bërë thirrje opozitës siriane, që “t’i shmanget shndërrimit në kryengritje ushtarake”, pasi sipas tij, “lufta civile, qartazi, do të ishte katastrofë”.

Ai theksoi se Turqia nuk është në favor të “intervenimit të njëanshëm”, dhe nëse kjo nevojitet të bëhet, atëherë “lëvizja e tillë duhet të mandatohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.
XS
SM
MD
LG