Ndërlidhjet

Bashkohen në formën e një lloj mini-BE-je


Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani janë pajtuar për krijimin e një Bashkimi Euroaziatik të Ekonomisë.

Presidentët e tri ish-republikave sovjetike, të cilat tashmë kanë një sistem të përbashkët doganor, nënshkruan një deklaratë në Kremlin me qëllim krijimin e një Bashkimi Euroaziatik të Ekonomisë deri në vitin 2015.

Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, ai i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenka dhe homologu i tyre nga Kazakistani, Nursultan Nazarbaev, u pajtuan gjithashtu për krijimin e një trupi mbikombëtar ekzekutiv, i cili do të ketë për detyrë mbikëqyrjen e thellimit të integrimit ekonomik.

Kryeministri rus, Vlladimir Putin, së fundi kishte prezantuar idenë e një bashkimi ekonomik në Euroazi të tipit të BE-së.

Medvedev tha se çdo ish-republikë sovjetike është e mirëseardhur t’u bashkohet tri shteteve inicuese.

Kritikët kanë thënë se projekti ka për qëllim rikrijimin e Bashkimit Sovjetik me një format tjetër, por presidenti i Kazakistanit Nazarbaev hodhi poshtë këta zëra.

“Si mund të flasë dikush për riinkarnacionin (e Bashkimit Sovjetik)? Bashkimi Sovjetik ekzistonte nën një sistem të komanduar administrativ, me pronën totale të shtetit mbi prodhimin dhe me një ideologji komuniste si shtyllë kurrizore të Partisë Komuniste. A mund ta imagjinoj dikush restaurimin e Gosplanit dhe Gosnabit tani? Ne duhet t’u shpjegojmë njerëzve se këto janë vetëm frika dhe fantome të pakuptueshme të shpërndara nga kundërshtarët tanë ose thjesht armiqtë, të cilët thjesht nuk duan të shohin që një integrim i tillë të ndodhë në territorin tonë”, u shpreh ai.

Komisioni Euroaziatik i Ekonomisë do të udhëhiqet nga ministri rus i industrisë, Viktor Kristenko, ndërsa Bashkimi Euroaziatik i Ekonomisë do ta ketë selinë në Moskë.
XS
SM
MD
LG