Ndërlidhjet

Vazhdon interesimi për migrim


Pamjet paraqesin një burrë duke punuar, në afërsi të Prishtinës. Qytetarët kosovarë shprehen të pakënaqur me kushtet e punës në Kosovë dhe një gjë e tillë jo rrallëherë është arsye për migrim.
Pamjet paraqesin një burrë duke punuar, në afërsi të Prishtinës. Qytetarët kosovarë shprehen të pakënaqur me kushtet e punës në Kosovë dhe një gjë e tillë jo rrallëherë është arsye për migrim.
Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve qeveritarë se në Kosovë janë përmirësuar kushtet socio-ekonomike, se është krijuar një perspektivë më e mirë për të rinjtë, se Kosova ka nënshkruar disa marrëveshje me shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian për riatdhesimin e kosovarëve, te qytetarët kosovarë nuk është zbehur ende dëshira për të migruar.

Njëra prej tyre është Vlora Kelmendi, rreth të 30-tave. Vlora aktualisht punon në një dyqan privat, por është e gatshme ta ndërpresë punën dhe të migrojë në ndonjërin nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Për një periudhë të caktuar do ta lija Kosovën, pasi në vendin tonë zakonisht flitet për hapjen e vendeve të punës, por në fakt nuk ndodh asgjë. Do të shkoja te të afërmit në Gjermani, nëse paraprakisht do të siguroja ndonjë vend pune”, thotë ajo.

Mungesa e perspektivës për të ardhmen është arsyeja kryesore për të braktisur Kosovën, thotë edhe Liridon Musliu nga Prishtina.

Liridoni është 24 vjeç dhe i papunë. Ai thotë se me shumë dëshirë do të largohej nga Kosova vetëm për të gjetur një vend pune.

“Me dëshirë do të largohesha, pasi vendet e Evropës kanë një zhvillim më të lartë ekonomik dhe kjo mundëson edhe sigurimin më të lehtë të ndonjë vendi të punës”, shprehet ai.

Saranda Rexhepi, e cila është studente në Universitetin e Prishtinës, në shënjestër ka Anglinë.

“Do të dilja jashtë Kosovës, pasi nuk më duket se është vend me perspektivë; sidomos për shkolla nuk kemi shumë zgjedhje. Në Londër e kam xhaxhanë dhe atje kam dëshirë të shkoj, nëse mund të marr ndonjë vizë”, shprehet e vendosur Saranda.

Viza është problem edhe për Hava Bajraktarin, e cila thotë se shumë anëtarë të familjes i ka jashtë shtetit të Kosovës.

“Kam dëshirë të dal jashtë, por është vështirë sepse vizat nuk i japin. Do të doja të jetoja në vende të ndryshme të Evropës, sepse atje mundësitë janë shumë më ndryshe sesa në Kosovë”, thotë 25-vjeçarja.

Udhëheqësit e Ministrisë së Diasporës pranojnë se shumë të rinj kosovarë vizitojnë këtë institucion, për t’u interesuar për mundësitë e migrimit në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Ministri Ibrahim Makolli - foto nga arkivi
Ministri Ibrahim Makolli - foto nga arkivi
Ministri Ibrahim Makolli e cilëson shqetësuese dukurinë e migrimit.

“Ka pasur dhe në vazhdimësi ka të interesuar për mundësinë e lëvizjes në vendet tjera. Në përgjithësi, opinioni kosovar e ka të qartë një pamundësi të tillë, por, megjithatë, njerëzit janë të interesuar, shprehin interesime të ndryshme se a ekzistojnë forma apo mënyra që të dalin në vende të tjera. Natyrisht se kjo është shqetësuese”, thekson ministri Makolli.

Ai thotë se, megjithatë, përpjekjet e qytetarëve kosovarë për të lëshuar vendin janë të kota, pasi “vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova”.

“Ka përpjekje të vazhdueshme që opinionit kosovar t’i bëhet me dije se për Kosovën dhe kosovarët nuk ka më asnjë mundësi të kërkimit të azilit në vendet e tjera”, thotë Makolli.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se në fund të vitit do të nisë dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën. Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, rikujton se njëri nga parakushtet për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave nga BE-ja, është parandalimi i migrimit.
XS
SM
MD
LG