Ndërlidhjet

Si matet suksesi i një qeverie?


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Në Kosovë, që nga paslufta janë ndërruar katër qeveri të ndryshme të udhëhequra nga partitë që kryesisht kanë dominuar në skenën politike që nga ajo kohë, si Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Secila qeveri, pavarësisht formulës së koalicionit, pas përfundimit të mandatit, punën e saj e ka krahasuar, me siç është thënë shpesh, dështimet apo mospunën e qeverisë paraprake.

Por, pse ndodh një gjë e tillë? Analistët politikë konsiderojnë se kjo vjen për shkak se drejtuesit e qeverive që nga fillimi i mandatit e deri në mbarim të tij, nuk kanë programe konkrete.

Analisti Halil Matoshi konsideron se një gjë e tillë ndodh pasi që modeli qeverisës në Kosovë është i njëjtë dhe nuk ka dallime në mes të qeverive, pavarësisht se cilat parti e formojnë atë.


Halil Matoshi
Halil Matoshi
“Kjo është sindromë thjesht e mujshisë që i shkon për fytyre Ballkanit, kryesisht edhe është ngulitur kështu në mendjet e kosovarëve te të gjitha qeveritë, duke e parë që modeli qeverisës në këtë vend është katastrofal, do të thotë është model kleptokratik dhe që u mundëson njerëzve që të pasurohen nga zyrat publike, e jo nga puna e tyre”.

Ata nuk kanë me kë të maten, sepse po të maten me qeveri funksionale demokratike, dalin se janë zero. Mirëpo, maten me qeveritë paraprake duke qenë se në thelb janë të njëjta dhe për hir të mujshisë, ose për hir të hedhjes në publik të përparësive të tyre, secila qeveri që vjen e kritikon qeverinë paraprake, kurse në esencë modeli i qeverisë është krejtësisht i njëjtë”, thotë Matoshi.

Qeveria e parë pas luftës, ishte ajo e koalicionit të gjerë e formuar në vitin 2002 në ndërmjet të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe partive minoritare. Si qeveri e parë e dalë nga zgjedhjet e para të lira në Kosovë, ky ekzekutiv nuk kishte masë krahasuese me ndonjë qeveri tjetër, por nuk i mungonin kritikat ndaj administratës së UNMIK-ut, që qeverisi Kosovën që nga 1999-a, dhe edhe pas këtyre zgjedhjeve kishte fuqi ekzekutive.

Nga zgjedhjet e 2004-s doli koalicioni ndërmjet partisë që shquhej si parti paqësore, LDK-së, dhe asaj të dalë nga lufta, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kjo bëri që PDK-ja të formojë qeverinë nën hije dhe të jetë kritike sidomos ndaj fenomenit të korrupsionit. Për të njëjtat u kritikua PDK-ja nga ana e AAK-së, në koalicionin pasardhës, që e lidhi me LDK-në.

Analisti tjetër kosovar, Imer Mushkolaj, konsideron se mungesa e rezultateve të qeverisë përkatëse, është një nga arsyet që qeveria në largim bën krahasim me ekzekutivin e kaluar.

Natyrisht se këtu kemi të bëjmë në të shumtën e rasteve me mungesën e rezultateve të programeve qeveritare që duhet të prezantohen që në fillim të mandatit. Por, fatkeqësisht në rastin tonë nuk ndodh shpesh apo nuk ka ndodhur deri tani asnjëherë që qeveria të prezantohet me një program të saktë se çfarë do të bëjë gjatë mandatit, të cilin e ka fituar. Kështu që, sot dëgjojmë edhe deklarime të tipit se ne kemi bërë në këtë fushë me shumë se mbase edhe qeveritë e para të pasluftës, kur kanë qenë të gjitha parti politike në koalicion”, shprehet Mushkolaj.

Zhvillimi ekonomik dhe ulja e varfërisë në Kosovës, sipas raporteve të shumta nga organizatat ndërkombëtare e vendore, lë shumë për të dëshiruar.

Rritja ekonomike është fare e vogël, papunësia nuk ka shënuar ulje dhe është edhe më tej mbi 43 për qind, ndërsa varfëria është thelluar në mbi 40 për qind.

Mushkolaj thotë se një qeveri suksesin e saj do të duhej ta maste me një zhvillim të duhur ekonomik, me vende të reja të punës, e me suksese në politikën e jashtme.
Te ne gjithmonë kemi të bëjmë me deklarata politike, asgjë nuk është praktike që thjesht na tregon se ku në fakt është përmirësuar jeta e qytetarëve në një fushë të caktuar.


“Në Evropë apo në vendet e zhvilluara demokratike, matet çdo hap përpara sado i vogël që është dhe votuesit, madje, vendosin t’i japin votën një partie apo një tjetre, mbase edhe për gjërat që neve në Kosovë na duken shumë banale, mirëpo ato janë të arritura që janë të lidhura drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve”.

“Te ne gjithmonë kemi të bëjmë me deklarata politike, asgjë nuk është praktike që thjesht na tregon se ku në fakt është përmirësuar jeta e qytetarëve në një fushë të caktuar”, thekson Mushkolaj.

Analisti Halil Matoshi konsideron se sukseset e një qeverie do të duhej të mateshin edhe me zhvillimin e demokracisë, që sipas matjeve të Freedom House, Kosova është duke çaluar në demokratizim, si dhe në liritë civile.

Suksesi duhet të matet, mbi të gjitha, me zhvillim ekonomik, edhe me demokraci funksionale, demokraci për të gjithë. Matësi më i mirë janë vendet e Bashkimit Evropian dhe mbi të gjitha është Raporti i Progresit që vjen për çdo vjeshtë për përparimet në Kosovë. Dhe, këto raporte, praktikisht, pas shpalljes së pavarësisë e tutje, po thuajse janë të njëjta për të gjitha qeveritë, kështu që nuk ka asnjë dallim në funksionalizimin e shtetit demokratik”, vlerëson Matoshi.

Me gjithë kritikat e analistëve, përfaqësues të ekzekutivit vënë në pah se Kosova ka shënuar përparime, sidomos që nga pavarësimi i vendit në vitin 2008. Megjithatë, Kosova vazhdon të ketë probleme politike e të sigurisë, për shkak të veriut, që vazhdon të jetë vatër e tensionuar.
XS
SM
MD
LG