Ndërlidhjet

Bota të alarmohet për programin atomik të Iranit


Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukia Amano. Vjenë, 17 nëntor 2011.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukia Amano. Vjenë, 17 nëntor 2011.
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) e Kombeve të Bashkuara, e ka mbështetur një rezolutë, që është përgatitur nga fuqitë kryesore botërore, për ta shtuar presionin ndaj Iranit lidhur me programin e tij të fshehtë atomik.

Bordi 35-anëtarësh i guvernantorëve të kësaj agjencie, ka votuar 32:2 në favor të këtij dokumenti, në fund të takimit dyditësh në Vjenë të Austrisë. Dy vendet, që votuan kundër, ishin Kuba dhe Ekuadori, ndërsa nga votimi abstenoi Indonezia.

Central bërthamor në Iran
Central bërthamor në Iran
Në rezolutë shprehet “shqetësim i thellë në rritje” për çështjet e “pazgjidhura”, lidhur me programin atomik të Iranit, dhe i bëhet thirrje Teheranit, që të garantojë qasje ANEB-it në të gjitha “dokumentet “relevante”, në hapësira, dhe në personel në Iran.

Megjithatë, dokumenti ka dështuar të rekomandojë sanksione të reja kundër regjimit të Republikës Islamike.Por, rezoluta, që ishte përgatitur nga pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermanisë, paraqet një instancë të rrallë, ku Rusia dhe Kina, i kanë bashkuar forcat me fuqitë perëndimore, për të marrë qëndrim unik për Iranin.

Glin Dejvis, nga delegacioni i Shteteve të Bashkuara në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha se “nuk është më brenda kufijve të besueshmërisë të pretendohet se aktivitetet atomike të Iranit janë vetëm paqësore” dhe shtoi se “ekziston pak dyshim se Irani, së paku dëshiron ta pozicionojë vetveten për aftësi në armatimin atomik”.

Duke folur në emër të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë, shefi i delegacionit gjerman, Rudiger Lodeking, tha se aksionet e Iranit “e kanë thelluar mosbesimin në natyrën ekskluzive paqësore të programit të tij bërthamor”.

Në kumtesën e tij, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se rezoluta e përbashkët dhe votimi i Bordit të agjencisë, “ekspozon njëherë e përgjithmonë të gjitha dështimet e pretendimeve të Iranit”.

Në vazhdim të kumtesës theksohet se “derisa Shtetet e Bashkuara, nuk ishin të befasuara me këto gjetje, e gjithë bota tash e di se Irani, jo vetëm që ka synuar fshehjen e programit të tij të pasurimit të uraniumit nga bota, për më tepër se dy dekada, por po ashtu, ishte angazhuar në kërkime dhe zhvillime të fshehta, të ndërlidhura me aktivitetet, që mund ta kenë vetëm një aplikacion: ndërtimin e kokës bërthamore luftarake për bartje në raketat balistike”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se aksionet e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, konfirmojnë se “komuniteti ndërkombëtar nuk gjen se pretendimet e Iranit janë të besueshme”.

Mark Toner, zëdhënës i sekretares Klinton, tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbajnë presionin ndaj Iranit.

Mark Toner
Mark Toner
“Ne besojmë se rezoluta është një shtytës efektiv për masat e tjera që ne po shohim t’i zhvillojmë gjatë ditëve dhe muajve të ardhshëm”, tha Mark Toner.

Bisedimet në Vjenë filluan më 17 të këtij muaji, ndërsa shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Jukia Amano, e citoi raportin e agjencisë së tij se për të parën herë përmban dëshmi “të besueshme” se Irani po punonte për të zhvilluar teknologji të armatimit atomik.

Amano theksoi se është detyrë e tij “ta alarmojë botën” lidhur me përpjekjet e dyshuara iraniane për zhvillimin e bombës atomike.

Zyrtarët në Iran e hodhën poshtë raportin e ANEB-it si të pabazë, duke thënë se aktivitetet atomike të tij janë vetëm për qëllime civile.

Shefi i delegacionit të Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Ali Asghar Soltanieh, e akuzoi Amanon, se para publikimit formal, raportin e ka dërguar te vendet perëndimore dhe disa media.

Në këtë kuadër, në një letër dërguar gazetarëve, ai shkroi se raporti i vë në rrezik shkencëtarët iranianë për vrasje nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. (f. b.)
XS
SM
MD
LG