Ndërlidhjet

Radio Evropa e Lirë, ndan çdo të dielë hapësirë në programin e saj për të adresuar çështjet që prekin të rinjtë. Synimi i kësaj rubrike të përjavshme “Vox”, do të jetë identifikimi i sfidave nga vetë të rinjtë, si e shohin ata zgjidhjen dhe cilat janë pritjet e tyre. Na shkruani edhe ju, rekomandimet tuaja mund t’i dërgoni në adresat tona.



Marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, varfëria është bërë e pashmangshme për shumicën e të rinjve të vendit dhe kjo është pengesë qenësore për përparimin e tyre në cilëndo fushë, vlerësojnë disa të rinjtë e Kosovës. Të rinjtë e moshës nën 37 vjet, përbëjnë 70 përqindëshin e popullatës së përgjithshme të vendit.

Statistikat e Bankës Botërore tregojnë se shkalla e varfërisë në Kosovë, vazhdon të jetë 35 për qind, ndërkaq, varfëria e skajshme i ka prekur 12 për qind të popullatës. Të rinjtë thonë se pak moshatarë të tyre mund ta konsiderojnë veten të pasur, ndërkohë që shumica e shohin veten si të varfër.

Ukshin Asllani, 33 vjeç, thotë se ka mbaruar shkollën e mesme shumë kohë më parë, por për mungesë të mundësive financiare, kurrë nuk ka arritur që të shkojë në universitet.

“Në përgjithësi, për të rinjtë, është katastrofë. Punë nuk ka. Shumë thjesht, dihen se janë të varfër, në dukje, në veshje, në bisedë me ta. E kupton njeriun se s’ka. Një i ri, për të mbijetuar, vetëm për të veten, pa 200 euro nuk mund t’ia kalojë. E, ato s’janë askund, fare. Edhe unë, sikur të gjithë, përpiqem që të punoj, por punë s’ka”, tregon i riu Ukshin Asllani.

Në pozicion të njëjtë është edhe Nexhmi Maksutaj, i cili thotë se i ka 24 vjet, por për shkak të varfërisë, nuk ka arritur të studiojë në ndonjë universitet. I ngrysur, ai thotë se mundësinë për shkollim të lartë, tashmë e ka harruar, sepse i duhet të gjejë ndonjë punë në mënyrë që të kujdeset për familjen me dhjetë anëtarë:

“Po shihet... si në rrugë më, por nuk ka punë. Nuk llogaris vetëm për mua, por për të gjithë familjen. Do të thotë, diku një mesatare, nëse dalin 250 euro... po të mund t’i nxirrja, e gjithë kjo është mbi shpinën time, por nuk fitohet fare. Minimum në ditë më duhen 10 euro për shpenzime. Kur nuk ka, është barrë shumë e madhe”.

Në anën tjetër, mjaft të rinj mendojnë se edhe shkollimi i lartë, tash për tash, nuk është shumë shpresëdhënës për të rinjtë, për faktin se ata prapë se prapë mbesin të papunësuar. Ky fakt e brengosë edhe të riun Arben Mehani, 22 vjeç, nga Skënderaj, aktualisht student në Fakultetin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës.

“Për shembull, e kryejnë (të rinjtë) fakultetin, por nuk kanë punësim. Kjo i bën të varfër. Natyrisht që unë, vetë, jam i varfër. Ende nuk jam pavarësuar”, shprehet Arben Mehani.

Donjeta Deçani është 18 vjeçe, studente e Mjekësisë së përgjithshme. Ajo thotë se banon në njërin prej konvikteve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Ja se si i përshkruan ajo situatat, të cilat reflektojnë gjendjen, të cilën ajo e quan të varfër, të studentëve:

“E shoh që shumica e atyre studentëve banojnë në konvikt. Edhe librat, për shembull, i kërkojnë te të tjerët, sepse s’i kanë mundësitë as për të blerë libra. Shumica e kësaj shtrese janë edhe pjesë e shoqërisë tonë dhe në shumicën e rasteve ata duhet të ndahen nga ne kur duam të dalim ose në raste të shumta. Ndahen, nuk dalin”.

Për të riun Demokrat Bytyçi, 20 vjeç, nga Suhareka, emri i tij, siç thotë ai,është paradoks në kohën kur ai po përpiqet të depërtojë në jetë. Ai studion Gjeografinë Aplikative në Universitetin e Prishtinës dhe e konsideron veten ende të varfër.

“Realisht, nuk jam i punësuar dhe mund të them plotësisht se jam i varfër. Jam ende nën financat e prindërve të mi. Unë po shoh që këtu në qytet, në Prishtinë, del njeriu dhe sheh shumë të rinj rrugëve, nëpër kafiteri e bastore. Janë më nervoz, jo shumë komunikues. Do të thotë, krejt këto i shkakton varfëria”, rrëfen Demokrat Bytyçi.

Por, qëndrimin e të rinjve me orë të tëra në kafene e bastore, 20 vjeçari Gazmend Azemi, student, e sheh si simptomë të papunësisë dhe varfërisë:

“Po të kishin ku të angazhoheshin të rinjtë, nuk do të kishin shkuar në kafene, me 50 centë në xhep. Por, pasi që nuk kanë çfarë të bëjnë, hyjnë në kafene”.

Qëndrim Aliu, 21 vjeç, student në Shkencat Kompjuterike, thotë se mjafton që secili i ri të shikojë në rrethin ku jeton dhe të vërejë se varfëria i ka prekur moshatarët e tij:

“Ata janë më shumë të varfër. Njerëz disi më të dëshpëruar... Nuk kanë, janë më të zhgënjyer. Më shumë vërehen në dukje të jashtme, në veshje... disi, teshat e njëjta çdo ditë. Kjo është ajo shenjë”.

Lenita Shehu, 21 vjeçe,studente në Fakultetin Teknik, thotë se shpeshherë kushtet materiale i detyrojnë të rinjtë që të zgjedhin pa dëshirë për të studiuar një degë të caktuar, e jo atë që e dëshirojnë. Në raste të caktuara sipas saj, i fut të rinjtë edhe në rrugë të devijuara:

Ka edhe shumë femra që e rrezikojnë jetën e tyre, që të studiojnë diçka, për të ardhmen. Për atë, detyrohen të punojnë edhe shumë gjëra tjera... Duhet të bëjnë çmos, për t’i fituar ato të drejta për të studiuar”.

Edhe Behar Sheqiri, 20 vjeç, nga Podujeva, thotë se gjendja e shumicës së të rinjve, anon kah varfëria dhe se një gjendje e tillë rrezikon të prodhojë energji negative te të rinjtë.

“Të pasur nuk janë. Anojnë goxha shumë kah varfëria. Si t’i shohësh në fytyrë, ata vërehen se nuk kanë. Cilindo të ri që ta shikosh, 90 për qind prej tyre nuk i kanë as 50 cent në xhep. S’kanë ku punojnë. Shumë lehtë mund të devijojnë, të bëjnë hajni, të vjedhin, të bëjnë gjëra që nuk u kanë hije. Pastaj, problemet vijnë”, thotë Behar Sheqiri.

Ndryshe, disa prej këtyre të rinjve, vlerësojnë se një nga shkaktarët e varfërisë te të rinjtë janë edhe institucionet përgjegjëse qeveritare. Asllani thotë:

“Faktikisht, nuk kanë bërë mjaft. I kanë pasur mundësitë të bëjnë, por nuk kanë bërë asgjë për të zbutur papunësinë dhe t’i bëjnë disa gjëra. Por, nuk u ka interesuar dhe nuk i kanë bërë. I kanë bërë për vete”.

Ndërkaq, Maksutaj thekson:

Për shembull, për aq sa jemi të gjithë ne - dy milionë banor nuk jemi në tërë Kosovën - kjo është dashur që të jetë një vend siç është Zvicra, me këtë popullsi që e kemi, e jo kështu, të gjithë të varfër dhe të papunë. S’kemi çfarë të bëjmë. Ky është realiteti”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Të ndërlidhura

Trego komentet

XS
SM
MD
LG