Ndërlidhjet

Diskutohet menaxhimi i integruar i kufirit


Në Jarinjë...

Në Jarinjë...


Në raundin e shtatë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet të hënën dhe të martën në Bruksel, pritet që për herë të parë të shtrohet për diskutim çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve.

Në këtë raund të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe me pjesëmarrjen e SHBA-ve do të bisedohet për problemin e moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë si dhe për çështjet për të cilat tash një kohë po diskutohet siç janë çështjet e telekomunikacionit, energjisë dhe bashkëpunimi rajonal. Temë e re, apo risi në këtë dialog, do të jetë menaxhimi i integruar i kufirit shtetëror mes dy vendeve”, tha Visar Xani, këshilltar politik i kryenegociatores kosovare Edita Tahiri.

Temë e re, apo risi në këtë dialog, do të jetë menaxhimi i integruar i kufirit shtetëror mes dy vendeve.
Propozimet që dolën pas takimeve të ndara të ndërmjetësuesit të BE-së, Robert Kuper me delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë – Serbi, paraqesin përpjekje për të zhbllokuar gjendjen e ngrirë në veri.

Jo zyrtarisht është thënë se një marrëveshje e tillë eventuale ka të bëjë me organizimin e pikave të përbashkëta doganore në kufi, pa e obliguar Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet.

Kurse menaxhimi do të bëhej nga doganierë të Kosovës, misionit të BE-së – EULEX dhe doganierët e Serbisë.

Kjo ide nuk ka gjetur konsensus në mesin e subjekteve politike parlamentare në Kosovë.

Ndërsa, pala serbe shprehet skeptike në arritjen e ndonjë marrëveshjeje të rëndësishme në këtë raund bisedimesh. Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë, se pa u zgjidhur çështja e pikave kufitare në veri, marrëveshjet janë vështirë të arritshme.

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Mendoj se takimi do të zhvillohet, por nuk jam i sigurt për rezultatet që mund të arrihen atje. Thënë objektivisht, këto dy kalime administrative janë shumë domethënëse për ne dhe nëse këto probleme nuk zgjidhen në mënyrën e duhur, mendoj se nuk do të ketë atmosferë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje të madhe”, tha Ivanoviq, për të shtuar se arritje mund të ketë në ato tema që nuk kanë të bëjnë me politikë.

Atmosfera është e tillë, që fatkeqësisht nuk mund të pritet ndonjë hap serioz. Mund të ketë diçka në lidhje me njohjen e diplomave, sepse kjo do të ishte një çështje plotësisht jopolitike dhe besoj se në zgjidhjen e kësaj do të marrë rol aktiv Asociacioni Evropian i Universiteteve që do të ndihmonte në depolitizimin e kësaj çështjeje. Kjo do të ishte me interes të madh”, tha ai.

Pala kosovare thotë se në këtë raund bisedimesh shkon me një pozicion të fuqishëm, pasi që siç thuhet në një komunikatë për media të ekzekutivit “pala e Kosovës tashmë ka krijuar epërsi në dialog në raport me palën e Serbisë, për faktin se Komisioni Evropian zyrtarisht ka vlerësuar rolin konstruktiv të Qeverisë së Kosovës në dialog, përderisa ka kritikuar Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve”.

Nga bisedimet e deritashme, që nën ndërmjetësimin e BE-së kanë nisur në muajin mars të këtij viti, janë arritur pesë marrëveshje. Prishtina është treguar e gatshme madje duke nisur edhe njëanshëm zbatimin e tyre, por një gjë të tillë nuk e ka bërë Beogradi zyrtar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet për rezultate konkrete si dhe do të mbrojë qëndrimin se suksesi i dialogut teknik është në zbatimin e marrëveshjeve, si dhe do të ripërsërisë kërkesën që Kosova të shpërblehet për konstruktivitetin në këtë dialog, duke vendosur marrëdhëniet kontraktuale me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e Qeverisë, në të cilën shfaqet shpresa që në prag të vendimeve të Këshillit të Ministrave të BE-së për avancimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejtë BE-së që pritet të mbahet me 9 dhjetor 2011, Kosova pret të ketë përparime esenciale drejt BE-së.

Bisedimet u ndërprenë në muajin shtator, për shkak të incidenteve në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikat kufitare Jarinë e Bërnjak, për shkak të kundërshtimit serb ndaj vendosjes së doganierëve kosovarë.

Barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë drejt këtyre pikave, të vendosura fillimisht në muajin korrik, pas aksionit të qeverisë për kthimin e kontrollit në kufi, janë përforcuar pas 16 shtatorit, kur Prishtina mori mbështetjen ndërkombëtare për aksionin.

Ndërsa pala serbe e ka lidhur vazhdimin e bisedimeve me zgjidhjen e problemit në këto pika kufitare, mediat serbe komentojnë se dialogu është kushti kryesor që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në muajin dhjetor.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG