Ndërlidhjet

Valë e re e dhunës


Sheshi Tahrir, 20 nëntor 2011.
Sheshi Tahrir, 20 nëntor 2011.
Qindra protestues po përballen me forcat e sigurisë në Sheshin Tahrir në Kajro, në valën e re të protestave të dhunshme, si shenjë kundërshtimi ndaj autoriteteve ushtarake të vendit.

Protestuesit u përplasën me forcat e sigurisë gjatë fundjavës, duke shkaktuar vrasjen e të paktën 20 njerëzve dhe plagosjen e diku 1,750 të tjerëve.

Rishfaqja e protestave në Egjipt pasqyron rritjen e mllefit publik mbi ritmin e ngadalshëm në zbatimin e reformave, pas dëbimit të ish-presidentit Hosni Mubarak, dhe shqetësimet në rritje rreth liderëve të përkohshëm ushtarakë të vendit, të cilët thuhet se duan ta mbajnë pushtetin.

Dhuna vjen gjithashtu pak më shumë se një javë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Egjiptit, të planifikuara më 28 nëntor.

Bashkimi Evropian ka dënuar incidentet e fundjavës në Egjipt. Shefja e diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, u bëri thirrje autoriteteve që ta ndërpresin dhunën.

Sheshi Tahrir, 21 nëntor 2011.
Sheshi Tahrir, 21 nëntor 2011.
Nga raportet e mediave mësohet se ushtarët dhe policët kanë përdrorur gazin lotsjellës, plumbat e gomës dhe shkopinjtë për t’i shpërndarë protestuesit gjatë dy ditëve të fundit.

Stomatologu 24-vjeçar, Sabri Kalid, u qëllua dy herë në shpinë nga plumbat e gomës. Ai i tha Radios Evropa e Lirë se njerëzit janë të ngopur me liderët ushtarakë të vendit.

“Ata janë të ngopur nga Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura. Ata thonë se ky këshill është më i keq se vetë Mubaraku dhe se nuk dallon nga regjimi i Mubarakut kur bëhet fjalë për trajtimin e protestave paqësore. Ata urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me regjimin ushtarak, andaj po brohorisin tërë kohën ‘Eskat Eskat Hukm ul Askar’ që do të thotë ‘poshtë regjimi ushtarak’”, u shpreh Kalid.

Protestuesi Ahmad Ajad, 23-vjeçar, iu bashkua turmës në Tahrir të dielën. Ai tha se është i shokuar nga dhuna.


“Më tragjikja është se njerëzit po vriten dhe po qëllohen për vdekje gjatë transmetimit të protestave në televizionin shtetëror, ndërsa askush nuk po lëviz. Nuk mendoj se njerëzit në pushtet - qeveria ose Këshilli Ushtarak - janë në dijeni se çfarë po ndodh. Duket sikur ata po thonë: ‘ne nuk po vrasim askënd’, por kjo po shihet në televizion. Po transmetohet drejtpërdrejt, çdokush në botë mund të shohë se çfarë po ndodh. Nuk e di, por ne s’po marrim mbështetjen e mjaftueshme”, tha Ajad.

Regjimi ushtarak i Egjiptit hodhi poshtë zërat se po përpiqet ta mbajë fuqinë pas planeve për transferimin e pushtetit te një regjim civil.

Në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror, qeveria tha se dhuna që ka shpërthyer në ditët e fundit, nuk do të ketë ndikim në procesin e ardhshëm zgjedhor. (e.p.)


XS
SM
MD
LG