Ndërlidhjet

Kosova, SHBA e nënshkruan Memorandumin për mirëkuptim


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, e kanë nënshkruar sot një memorandum të mirëkuptimit, që përcakton angazhimin e qeverisë amerikane për të ndihmuar institucionet e Kosovës për të kryer reforma të ndryshme.

Ky memorandum mirëkuptimi përfshinë përkrahjen e mëtutjeshme të zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke përfshirë përmirësime në menaxhimin e kapaciteteve teknike në administratën tatimore, përmirësimin e partneritetit publiko-privat për të financuar infrastrukturën publike, etj.

Me rastin e nënshkrimit, presidentja Atifete Jahjaga, tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara, kanë një miqësi të përjetshme që është garant i paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Ky është shembulli i një partneritet të mirëfilltë, që bazohet ne vlerat e demokracisë amerikane që respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që sigurojnë një zhvillim të proceseve demokratike me pushtete të ndara, me kontroll parlamentar të qeverisjes, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e shtypit”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuar në Kosovë, Kristofer Dell, nënvizoi se nënshkrimi i këtij memorandumi paraqet edhe një të arritur tjetër në bashkëpunim dhe miqësi në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Në një mënyrë ky është vetëm një vazhdim i marrëdhënieve, i asaj mbështetjes që e përmendi edhe presidentja, që vazhdon për me shumë se 12 vjet. Dhe në një farë mënyre, kjo vetëm siguron një kornizë pune ligjore përmes së cilës Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të punojnë më Qeverinë e Kosovës, më shoqërinë civile të Kosovës si dhe me institucionet e tjera, në një varg aktivitetesh të ndryshme, që kanë të bëjnë me përforcimin e sundimit të ligjit, rritjen ekonomike, përforcimin e demokracisë përmes punës sonë në kuvend. Dhe përmes kësaj vegle ne kemi pasur mundësi të punojmë dhe me pakicat e ndryshme kombëtare, që të rigjallërojmë sektorin e energjisë dhe në të gjithë atë varg gjerash, në të cilat kemi qenë të përfshirë”, tha Dell, duke shtuar se një veprim i tillë përbënë edhe një hap tjetër përpara në drejtim të konsolidimit të shtetit dhe institucioneve të Kosovës.

Siç u bë e ditur, këto objektiva do të kryhen në partneritet në mes të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe nga ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe agjencitë e tjera relevante.
XS
SM
MD
LG