Ndërlidhjet

Territorin në veri të Kosovës, ku edhe përbëjnë shumicën, e quajnë pjesë të Serbisë. Megjithatë, disa përfaqësues serbë, para disa ditësh, hodhën idenë për pavarësimin e kësaj pjese, duke mos elaboruar nëse po kërkojnë pavarësi nga Serbia, apo nga Kosova, nën juridiksionin e së cilës gjendet veriu.

Por tash, një qëndrim më të zbutur japin pikërisht dy personat që hodhën këtë ide: përfaqësuesi i serbëve të veriut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq, dhe sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

“Aktualisht, serbët nuk duhet të mendojnë për shpalljen e pavarësisë. Por, përderisa Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare na imponojnë me dhunë kufij, atje ku kurrë nuk ka pasur - e për shembull, ndaj Shqipërisë nuk ka kalime kufitare - ne, nga këto hapësira, duhet të marrim një vendim dhe të kërkojmë demarkacion. Këtë kërkesë duhet t’ia bëjmë më tepër Shqipërisë sesa Kosovës”, thotë Nedelkoviq.

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Ivanoviq nuk përjashton një shpallje të pavarësisë, por vetëm në teori.

“Deklarata për pavarësinë e veriut është hipotetike. Dhe, në një pyetje hipotetike, natyrisht se jepet përgjigje hipotetike. Por, ajo që duhet të na brengosë, është komunikimi gjithnjë e më i vogël në mes të institucioneve ndërkombëtare dhe njerëzve në veri. Kjo mungesë do të ndërtojë ndarje fizike, bllokadë fizike. Mendoj se pavarësia nuk do të ndodhë, se është zgjidhje e keqe, por nga ana teorike nuk mund të përjashtohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Oliver Ivanoviq.

Pjesa veriore e Kosovës, ku përfshihet një territor prej katër komunash, e populluar me shumicë serbe, ‘de facto’ asnjëherë nuk i është bindur Prishtinës zyrtare dhe që nga paslufta është udhëhequr nga strukturat paralele, të financuara nga Beogradi zyrtar.

Tensionet në këtë pjesë janë rritur pas aksionit të Qeverisë së Prishtinës për të kthyer kontrollin në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, në Jarinë dhe në Bërnjak.

Kjo ka bërë që serbët e asaj pjese të vendosin barrikada nëpër rrugë, të ndërpresin komunikimin me institucionet ndërkombëtare, siç është EULEX-i, dhe të mos iu binden as këshillave të Beogradit zyrtar për heqjen e barrikadave.

Vazhdimi i kësaj gjendjeje, sipas Ivanoviqit, do të mund të çojë në pavarësimin e veriut.

“Kjo bllokadë fizike e çdo komunikimi shkakton tensione të larta dhe nëse ky tension vazhdon gjatë, ekziston rreziku i ideve ekstremiste. Në mes të këtyre ideve e shoh dhe këtë për pavarësinë”, thotë Ivanoviq.

Radenko Nedelkoviq, duke folur në emër të përfaqësuesve të katër komunave veriore, thotë se zgjidhja duhet kërkuar edhe në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, që po mbahen nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ai flet për një zgjidhje që është e papranueshme për Prishtinën, por që nuk gjen përkrahje as nga qendrat vendimmarrëse.
Kërkojmë respektimin e Rezolutës 12 44 dhe të planit të Ban Ki-munit, për çfarë janë pajtuar Beogradi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ne kemi pasur takim në Beograd me Borisllav Stefanoviqin. Kemi përsëritur se pajtohemi me përfundimet e sjella nga përfaqësuesit e katër komunave dhe se për ne është e papranueshme çfarëdolloj tarife doganore në Bërnjak dhe Jarinë. Kërkojmë respektimin e Rezolutës 12 44 dhe të planit të Ban Ki-munit, për çfarë janë pajtuar Beogradi me Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, thotë Nedelkoviq.

Vendosja e doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak është bërë për të vënë në jetë marrëveshjen për vulat doganore, të arritur në Bruksel, mes Prishtinës e Beogradit.

Serbët e veriut frikësohen se duke kërkuar të marrin statusin e kandidatit nga ana e BE-së, Serbia do t’i tradhtojë interesat e tyre. Për këtë arsye, mbi 20 mijë serbë, përmes një peticioni, kanë kërkuar nga Parlamenti rus që t’u japë nënshtetësinë ruse.

Ivanoviq e quan këtë hap një përpjekje dëshpëruese.

“Ky është një hap dëshpërues i atyre njerëzve që jetojnë në tension që 20 vjet dhe në gjendje të rëndë që disa muaj. Kjo është një përpjekje për të marrë mbrojtje shtesë dhe kështu ta përfshijë në lojë edhe Rusinë, sepse Rusia do ta kishte obligim të brengosej për ata që kanë dyshtetësi. Besoj se kjo më shumë ka të bëjë me një lloj dëshpërimi, sesa një lloj dëshire që ata të marrin nënshtetësinë ruse”, thotë Ivanoviq.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG