Ndërlidhjet

Shtohen sanksionet ndaj Iranit


Fuqitë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Kanadën, paralajmëruan zbatimin e sanksioneve shtesë që thuhet se do ta kenë në shënjestër sektorin bankar dhe atë të energjisë së Iranit.

Paralajmërimi vjen pas shqetësimeve në rritje rreth qëllimit të programit bërthamor të këtij vendi.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara e cilësuan Iranin “një shqetësim që kryesisht ka të bëjë me shpërlarjen e parave”.

Britania bëri të ditur se ka ndaluar të gjitha marrëdhëniet me bankat iraniane-përfshirë bankën qendrore.

Kanada, ndërkaq, bëri të ditur se ka ndaluar eksportin e të gjitha mallrave që do të mund të përdoreshin në industrinë kimike, të naftës dhe asaj të gazit në Iran, sikurse që ka ndaluar transaksionet financiare që poashtu përfshijnë bankën qendrore.

Me këtë veprim, fuqitë perëndimore thuhet se synojnë të shtojnë presionin ndaj Iranit, i cili bazuar në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, ka potencial për krijimin e armëve bërthamore.
XS
SM
MD
LG