Ndërlidhjet

logo-print

Egjipt: Protestuesit kërkojnë marshin “1-milionësh”

  • RFE /RL

Sheshi Tahrir në Kajro

Sheshi Tahrir në Kajro

Në përpjekje për t’i qetësuar trazirat në Sheshin Tahrir të Kajros, pas disa ditëve të dhunës politike, Qeveria e Egjiptit, e emëruar nga ushtria, ka paraqitur dorëheqje. Por, autoritetet ushtarake nuk e kanë pranuar ende atë.

Megjithatë, demonstruesit thonë se kjo lëvizje nuk mjafton dhe kërkojnë “marshimin me një milion njerëz” për ta përfunduar sundimin ushtarak.

Protestuesit, tashmë në ditën e katërt të demonstratave në Sheshin Tahrir në Kajro, kërkojnë që pushteti ushtarak ta dorëzojë autoritetin tek administrata civile.

Agjenda e ushtrisë sugjeron se zgjedhjet presidenciale ndoshta nuk mund të mbahen deri në fund të vitit 2012 ose në fillim të vitit 2013, kështu që, deri atëherë, armatës i mbetet autoriteti ekzekutiv gjithëpërfshirës.

Shumë politikanë dhe demonstrues në Sheshin Tahrir dëshirojnë zgjedhje presidenciale deri në muajin prill.

Partia Vëllazëria Myslimane ka thënë se do të marrë pjesë në bisedimet me sunduesit ushtarakë, me qëllim që të përfundojnë përleshjet vdekjeprurëse që kërcënojnë t’i dëmtojnë zgjedhjet legjislative, të cilat parashihen për javën e ardhshme.

Në bisedime do të përfshihet edhe Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë, që është e afërt me Vëllazërinë Myslimane.

Masa në Sheshin Tahrir sot në mesditë nuk ishte as për së afërti aq e madhe sa atëherë kur ish-presidenti Hosni Mubarak u detyrua të tërhiqej - në muajin shkurt të këtij viti.

Por, korrespondentët vlerësojnë se protesta në Kajro kishte tërhequr më se 10 mijë vetë gjatë natës, pasi së paku 24 persona ishin vrarë dhe më se 1,200 të tjerë ishin plagosur gjatë tri ditëve dhunë.

Kjo protestë u bë në periudhën kur dorëheqja e qeverisë së emëruar nga ushtria, ende nuk është pranuar nga Këshilli Ushtarak udhëheqës.

Shumë demonstrues janë të zemëruar lidhur me përpjekjet e kabinetit për të lëvizur me ndryshime kushtetuese, që do të mundësonin mbajtjen e autoritetit të Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura, që udhëhiqet nga marshall Mohamed Husein Tantavi.

Ndryshimet e propozuara parashohin që qeveria e caktuar nga ushtria, ta mbrojë armatën nga mbikëqyrja civile dhe t’i japë asaj fuqi të gjera për sigurinë kombëtare.

Protestuesi në Sheshin Tahrir, Hazem Mahmud, thotë se shumë egjiptianë konsiderojnë se qeveria ka pak forcë reale dhe se protestuesit kërkojnë tërheqjen e eprorëve të lartë ushtarakë.

“Gjëja më e rëndësishme është dorëheqja e gjeneral marshall Tantavit, e zëvendësit të tij, Osama Anan, dhe e të gjithë anëtarëve të Këshillit Ushtarak. Atëherë duhet të japë dorëheqje qeveria. Kjo është ajo që na nevojitet neve”, thotë Mahmud.

Kajro

Kajro

Protestuesi tjetër, Tejmur Saleh, po ashtu kërkon dorëheqjen e kreut ushtarak dhe thotë se qeveria është e pafuqishme të veprojë.

“Ishte qeveri e padobishme. Gjeneral marshall Tantavi duhet të paraqesë dorëheqje. Ne jemi të lodhur nga kjo situatë. Ushtria është përgjegjëse për të gjitha problemet tona aktuale. Ne nuk do të largohemi nga ky vend”, thotë Salah.

Gjatë ditës së sotme ka vazhduar edhe dhuna. Për të katërtën ditë me radhë, në Sheshin Tahrir, policia dhe ushtria kanë hedhur gaz lotsjellës dhe plumba gome kundër demonstruesve.

Në një deklaratë të publikuar sot, organizata Amnesty International tha se autoritetet ushtarake të Egjiptit kanë “dështuar plotësisht” në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Këshilli Suprem i Ushtrisë është akuzuar se ka përdorur taktikat e njëjta shtypëse sikur edhe regjimi i përmbysur i Mubarakut.

Sipas Amnesty International, “aspiratat e revolucionit të Egjiptit duke se janë thyer”.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij për gjakderdhjen, duke kërkuar nga autoritetet e Egjiptit që “të garantojnë” mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë civile. (f.b.)

XS
SM
MD
LG