Ndërlidhjet

Reformat kushtëzojnë datën e zgjedhjeve presidenciale


Kuvendi i Kosovës, 7 prill 2011.

Kuvendi i Kosovës, 7 prill 2011.

Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të para presidenciale në Kosovë, të cilat do të pasojnë reformat dhe amendamentimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli, janë shndërruar në temë debati te mediat dhe qendrat politike në Kosovë.

Komisioni parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës ka paralajmëruar përmbylljen e punës së tij diku para Kërshëndellave.

Në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, të datës 22 prill 2011, Kuvendi më pas do t’i shqyrtonte dhe aprovonte këto amendamente dhe, në një afat prej 6 muajsh, do t’i shpallte zgjedhjet e para presidenciale.

Sa u përket anëve procedurale, kryetari i Komisionit për amendamentim të Kushtetutës, Arsim Bajrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se amendamentet do të jenë gati për procedim në Kuvend nga pjesa e dytë e dhjetorit, përkatësisht gjatë janarit të vitit vijues.

Arsim Bajrami

Arsim Bajrami

“Orientimi ynë është që deri kah data 20 dhjetor, para festave të Kërshëndellave, të dorëzohen amendamentet kushtetuese, në mënyrë që simbolikisht t’i tregojmë Parlamentit që puna e komisionit është kryer. Pastaj, Parlamenti mund të procedojë me miratimin e amendamenteve dhe me shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme presidenciale, sipas dinamikës dhe rezolutës së përcaktuar”, deklaron Bajrami.

Duke iu referuar shumë paqartësive të krijuara, nëse vendi do të shkojë në zgjedhje presidenciale në vitin 2012 apo më 2013, deputetët ndajnë mendime nga më të ndryshmet.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, thotë se më shumë sesa data, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por edhe ato parlamentare, është me rëndësi të përfundojnë reformat dhe të pastrohet lista e votuesve, e cila është shndërruar në pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta, të lira e demokratike.

“A mbahen zgjedhjet në vjeshtë të vitit të ardhshëm, në pranverë apo vjeshtë të vitit 2013, nuk ka rëndësi, pasi që nëse jeni një kandidat serioz për president, gjithsesi që do t’ia dilni dhe do t’i fitoni ato zgjedhje. Kështu që nuk mendoj se afati kohor, i shkurtër apo pak më i gjatë, determinon fituesin në zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë”, thotë Shala.

Në prill të këtij viti, liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e Re, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, janë marrë vesh për inicimin e ndryshimeve kushtetuese, që kanë të bëjnë me ndryshimin e zgjedhjes së presidentit dhe reformat zgjedhore.

Marrëveshja e tyre pasoi rrëzimin nga posti të presidentit të Kosovës, Behxhet Pacolli, pasi që Gjykata Kushtetuese kishte vërtetuar zgjedhjen e tij në kundërshtim me Kushtetutën.

Behxhet Pacolli, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, gjatë konferencës për media, 6 prill 2011.

Behxhet Pacolli, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, gjatë konferencës për media, 6 prill 2011.

Po ashtu, me atë marrëveshje u propozua dhe më pas Kuvendi e zgjodhi Atifete Jahjagën në postin e presidentes.

Sidoqoftë, nga dita e parë, ajo nuk e kishte të sigurt zgjedhjen në afatin 5-vjeçar, siç e parashihte Kushtetuta, pasi që ndryshimet e ardhshme kushtetuese parashihnin një dispozitë kalimtare, e cila mund ta shkurtonte këtë afat me shpalljen e zgjedhjeve të para presidenciale.

Kjo marrëveshje ishte fuqizuar me rezolutën e miratuar më 22 prill në Kuvend, sipas së cilës, parashiheshin edhe afatet që linin të nënkuptonin se zgjedhjet presidenciale do të mund të thirreshin në verë apo vjeshtë të vitit 2012, kurse ato parlamentare në verën apo vjeshtën e vitit 2013.

LDK-ja, si nënshkruese e marrëveshjes, mbetet e përkushtuar që ajo të zbatohet, thotë deputeti i saj, Ismet Beqiri.

“Ne nuk kemi ndryshim të qasjes dhe qëndrimit tonë. Jemi për atë që viti 2012 të jetë vit zgjedhor për presidentin e Republikës së Kosovës, kurse viti 2013 për zgjedhjet lokale dhe nacionale. Për LDK-në nuk janë problem datat; ne jemi për respektimin e afateve, por është shumë me rëndësi që në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2012 dhe ato të vitit 2013, të bëhet edhe pastrimi i listave zgjedhore, sepse e dini se çfarë problemesh kemi pasur”, thotë Beqiri.

Konfuzioni i shkaktuar ditëve të fundit, nëse vendi do të shkojë apo jo në zgjedhje presidenciale gjatë vitit 2012, sipas deputetëve opozitarë, mund të jetë refleksion i zhvillimeve në koalicionin aktual qeverisës, i cili, sipas tyre, do ta ketë shumë vështirë që të dalë me një kandidat të përbashkët për president.

Andaj, sipas këtyre bindjeve, partitë në pushtet janë të interesuara t’i shtyjnë zgjedhjet presidenciale, në mënyrë që koalicioni të mos shkojë drejt një krize të re, e cila në fakt do të paraqiste edhe krizë të re qeveritare në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG