Ndërlidhjet

Përfitim real apo politik?


Zupç - fotografi ilustruese

Zupç - fotografi ilustruese

Analistët shqiptarë e serbë thonë se, pavarësisht dallimeve që palët mund t’i kenë në lidhje me marrëveshjen eventuale për menaxhimin e integruar të kufirit, si arritja, ashtu edhe zbatimi i saj nuk do të varet shumë nga to, por nga fuqia e Brukselit për t’i bindur.

Prishtina tha se e mbështet integrimin e menaxhuar të kufijve dhe, nëse arrihet një marrëveshje e tillë, Beogradi ‘de facto’ njeh Kosovën. Por, nga Beogradi deklaruan se edhe nëse arrihet marrëveshja, ajo nuk do të jetë për menaxhimin e integruar të kufijve, meqë për Serbinë kufijtë me Kosovën “nuk ekzistojnë”.

Analisti kosovar, Ardian Arifaj, thotë se kjo çështje teknike, që po diskutohet në dialogun teknik mes Kosovës e Serbisë, po politizohet.

“Në njërën anë, menaxhimi i integruar i kufirit mund të shihet si diçka teknike, sepse po flitet për vendosjen e pikave kufitare dhe asgjë tjetër. Por, kjo temë bëhet politike, kur flitet për atë se si po i quajmë këto: a janë vetëm kufij administrativë apo kufij mes dy shteteve. Këtu dallojnë Kosova dhe Serbia”.

“Kosova vazhdimisht është duke i ikur kësaj teme dhe dëshiron që këtë temë ta mbajë vetëm në nivel teknik, por ballafaqohet me Serbinë, e cila, që nga fillimi, bisedimet i ka parë si politike; motivet për të hyrë në bisedime i ka pasur politike dhe synimet i ka politike”,
thotë Arifaj në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Aleksandër Popov, nga Qendra për Rajonalizim në Novi Sad, thekson se është me rëndësi që ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedime, Robert Kuper, t‘i bindë të dyja palët në mospolitizimin e tërë kësaj çështjeje.

“Problemi është në interpretimin e kësaj marrëveshjeje. Sharra has në gozhdë në njërën apo tjetrën anë, varësisht se si interpretohet”, thotë Popov.


Vetëvendosje: Prishtina të mos i bëjë favore Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur çështje tërësisht teknike menaxhimin e integruar të kufijve, nga e cila, sipas tij, përfitojnë të dyja shtetet. Por, partia opozitare në Parlament, Vetëvendosje, thotë se një marrëveshje e tillë do të bëhej vetëm në rast se dy shtetet kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit nga kjo parti, thotë se nuk mund të arrihet menaxhimi i integruar i kufijve, kur nuk ka njohje reciproke. Ai thotë se Prishtina, po qe se pranon një marrëveshje të tillë, po i bën favore Beogradit.

“Mendoj se kjo është kërkesë e Serbisë, pasi që menaxhimi i integruar i kufijve, me gjithë fqinjët, është kriter për të hyrë në BE i një shteti”.

“Kosova duhet të jetë atje, të jetë në Bruksel, ashtu që Serbia të thotë se është një fqinj i mirë, me të cilin ka arritur marrëveshje bashkëpunuese, siç është edhe kjo për menaxhimin e integruar të kufijve; ashtu që kur Serbia të shkojë në Bruksel, të shkojë me raporte pozitive, se nuk ka probleme me asnjë shtet në Ballkan. Kështu, Kosova bëhet vizë për Serbinë që të hyjë në BE, në mënyrë sa më të përshpejtuar”,
thotë Konjufca.

Propozimet që dolën pas takimeve të ndara të ndërmjetësuesit të BE-së, Robert Kuper, me delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë – Serbi, paraqesin përpjekje për të zhbllokuar gjendjen e ngrirë në veri.

Aleksandër Popov thekson se është me rëndësi që të bindet Brukseli në faktin se Serbia nuk e kontrollon plotësisht veriun e Kosovës, duke marrë parasysh reagimet e përfaqësuesve të komunave në veri, të cilët kanë thënë se nuk i pranojnë marrëveshjet në Bruksel.

”Këtu janë gërshetuar disa çështje; një është politika, që udhëhiqet në Bruksel përmes bisedimeve teknike, ndërsa, në anën tjetër, shihet qartë se në atë pjesë, në veri, ekzistojnë interesa dhe individë me ndikim, të cilëve, jo që nuk iu konvenon prania e kufitarëve shqiptarë, por nuk iu konvenon as prania e çfarëdo doganieri, sepse në atë mënyrë zona futet nën kontroll dhe në atë rast do të humbin zonën për kontrabandimin e mallrave në veri”, thotë Popov.

Bisedimet Prishtinë - Beograd rinisën këtë javë, pasi që ishin ndërprerë në muajin shtator, për shkak të incidenteve në kufirin Kosovë - Serbi, përkatësisht në pikat kufitare Jarinë e Bërnjak. Një grup i panjohur i serbëve pat djegur pikën doganore në Jarinë, në shenjë proteste ndaj vendosjes së doganierëve kosovarë.

Barrikadat në rrugët që çojnë drejt këtyre pikave, të vendosura fillimisht në muajin korrik, pas aksionit të qeverisë për kthimin e kontrollit në kufi, janë përforcuar pas 16 shtatorit, kur Prishtina mori mbështetjen ndërkombëtare për aksionin.

Ndërsa pala serbe e lidh vazhdimin e bisedimeve me zgjidhjen e problemit në këto pika kufitare, mediat serbe komentojnë se dialogu është kushti kryesor që Serbia të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, në muajin dhjetor.
XS
SM
MD
LG