Ndërlidhjet

KFOR: FSK-ja me kapacitete të plota


Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Foto nga arkivi

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Foto nga arkivi

KFOR-i i ka deklaruar selisë së NATO-s në Napoli se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitetet e plota operacionale. Kjo u bë e ditur nga vetë kreu i KFOR-it, Erhard Drevs, në ceremoninë e ndërrimit të komandës së FSK-së, e cila u bë sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

“Këtë mëngjes, unë kam nënshkruar një letër dhe e kam dërguar atë te komanda e Forcave të Përgjithshme në Napoli, duke raportuar kështu mbi procesin e rëndësishëm që ka arritur FSK-ja dhe duke rekomanduar kështu deklarimin e kapaciteteve të plota operacionale të FSK-së”, tha Drevs, për të shtuar se miratimi zyrtar i këtij rekomandimi nga Këshilli i Atlantikut të Veriut, mund të pritet gjatë muajve të ardhshëm.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës thanë se janë në rrugë të drejtë që FSK-ja të bëhet një ushtri moderne. Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, shpjegoi më shumë:

“Tash për tash, ne, si forcë, kemi një armatim të lehtë, i cili faktikisht është i lejuar dhe koordinuar edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Presim që në një të ardhme jo të largët të kemi një armatim pak më të rëndë... Por, tani jemi në fazën kur po përfundojmë gjithçka sa i takon FSK-së, që të jetë një ushtri moderne”, tha Veseli.

Sipas tij, qëllim i ardhshëm i FSK-së është që kjo forcë ta ketë vendin e merituar. Veseli tha se, në vitin e ardhshëm, FSK-ja mund të nisë shërbimin e saj paqeruajtës edhe në vende të ndryshme.

“Unë shpresoj se nuk do të jetë një kohë shumë e largët kur do të funksionalizohet dhe do t’i jepet vendi i merituar FSK-së”, u shpreh Veseli.

Ndryshe, në Prishtinë, të martën është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandantit të FSK-së. Prej sot, detyrën e komandantit të kësaj force e mori gjeneralmajor Kadri Kastrati, kurse komandanti i deritashëm, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, është thënë se do të vazhdojë karrierën e tij në diplomaci.

Sylejman Selimi

Sylejman Selimi

Në fjalimin e tij me rastin e dorëzimit të komandës, Selimi tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar rezultate të konsiderueshme në përmbushjen e kapaciteteve të plota.

FSK-ja, që nga themelimi, ka arritur rezultate në të gjitha fushat, në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale, me shkollimin e kadetëve dhe kuadrove të tjera”, tha Selimi.

Edhe eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, i vlerësoi inkurajuese të arriturat e deritanishme të FSK-së.

“Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur për një kohë të caktuar planet e zhvillimit, ashtu siç edhe është paraparë t’i ngrejë kapacitetet e pjesës aktive dhe të asaj rezervë. Mendoj se ajo është e gatshme që tani, përveç pjesëmarrjes në aksionet emergjente, të angazhohet edhe në misionet me karakter paqeruajtës”, tha Ibishi.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas ligjit, është paraparë të jetë një forcë e armatosur lehtë, e dizajnuar dhe e përgatitur për të përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë apo organizatave tjera. Forca e Sigurisë së Kosovës është e paraparë të ketë 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG