Ndërlidhjet

logo-print

SHBA ngrin bashkëpunimin me Rusinë


Tanket ruse ne Gjeorgji, gusht 2008.

Tanket ruse ne Gjeorgji, gusht 2008.

Shtetet e Bashkuara nuk do të shkëmbejnë më të dhëna me Rusinë në lidhje me armët e tyre jobërthamore në Evropë e as nuk do t’i lejojnë inspektimet ruse në bazat e tyre. E gjithë kjo pason përpjekjet e dështuara për të rigjallëruar traktatin e armëve, të periudhës së Luftës së Ftohtë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, e cila, para se ta merrte postin, ka shërbyer si negocaiatore e SHBA-së në lidhje me këtë çështje, tha se Uashingtoni nuk do t’i përmbushë obligimet e tij ndaj Rusisë, të cilat parashihen në Traktatin e Forcave të Armatosura Konvencionale në Evropë.

Ajo përmendi edhe vendimin e Moskës për të mos zbatuar marrëveshjen.

Viktoria Nuland

Viktoria Nuland

“SHBA ka marrë vendim të ndërpresë zbatimin e detyrimeve ndaj Rusisë, që parashihen në Traktatin e Forcave Konvencionale në Evropë. Ky veprim i përgjigjet ndalesës së Rusisë për të zbatuar këtë marrëveshje, e cila ka nisur në dhjetor të 2007-ës”, tha Nuland.

Sipas saj, një gjë e tillë bën të kuptojë se disa, nëse jo të gjithë aleatët e NATO-s, do ta ndërmarrin të njëjtin hap.

E nënshkruar fillimisht në Paris, në vitin 1990, nga anëtarët e NATO-s dhe ish-shtetet e Paktit të Varshavës, Marrëveshja e Forcave Konvencionale në Evropë përcakton kufij të barabartë në të dyja anët për armët jobërthamore apo konvencionale – armë që mund të përdoren për ofensiva të shkallës së gjerë.

Marrëveshja në fjalë është parë si kyçe për sigurinë evropiane në fund të Luftës së Ftohtë.

Rusia kërkoi që ajo të rinegociohet në fund të viteve 1990, pasi një numër i ish-shteteve të Paktit të Varshavës iu bashkua NATO-s.

Një traktat i përditësuar u nënshkrua në vitin 1999, por vendet e NATO-s refuzuan ta ratifikojnë atë, duke i kërkuar Rusisë që fillimisht t’i tërheqë trupat e saj nga Gjeorgjia dhe rajoni separatist i Moldavisë – Transnistria.

Stiven Pajfer, ish-ambasador i SHBA-së në Ukrainë dhe ekspert për kontrollin e armëve në ish-Bashkimin Sovjetik, sqaroi të tjera detaje:

“Ka pasur përpjekje në vitin 2010 për të parë nëse ekziston ndonjë mënyrë për të kthyer regjimin ose, të paktën, të dilet me parime për rivendosjen e një regjimi të kufizuar të Marrëveshjes, por ato kanë dështuar kur është vënë në pyetje Gjeorgjia".

"Sa u përket Shteteve të Bashkuara, parim kryesor i Marrëveshjes është se vendi nikoqir ka të drejtë sovrane për t’iu thënë po ose jo trupave të huaja në territorin e tij. Dhe, problemi qëndronte në atë se si të veprohej me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë”,
tha Pajfer.


Ndikim simbolik

Pas një konflikti të shkurtër, por të përgjakshëm ruso-gjeorgjian në vitin 2008, Moska ka njohur pavarësinë e vetëshpallur të Osetisë së Jugut dhe të Abkhazisë – të dyja këto territore gjeorgjiane.

Nuland tha se pas përpjekjeve të vazhdueshme për të bërë progres me Rusinë, Uashingtoni mendon se nuk është në interesin e tij të sigurojë të dhëna, të cilat nuk janë reciproke.

Megjithatë, shtoi Nuland, SHBA nuk e ka braktisur shpresën për modernizimin dhe rizbatimin e traktatit me Rusinë, duke thënë se vendimi “mund t’i kristalizojë mendjet”, për t’u kthyer sërish në tryezën e bisedimeve.

Në fakt, ekspertët thonë se ky veprim i SHBA-së pritet të ketë vetëm ndikim simbolik, meqë, në aspektin praktik, Uashingtoni do të vazhdojë të dërgojë të dhëna rreth armëve te nënshkruesit e tjerë të Marrëveshjes, siç është Bjellorusia.

Pajfer ka një shpjegim për këtë...

“Mendoj se ky është një gjest simbolik. Ka vende të tjera që mund të marrin informacione dhe ata mund të zgjedhin nëse duan t’i ndajnë ato me Rusinë”, tha ai. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG