Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Gjuha, peng i vullnetit politik


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni, gjendet në një pozitë shumë më të avancuar krahasuar me dy dekada më parë të pluralizmit politik, por pozitën e saj si gjuhë e zyrtare e garanton ligji për përdorimin e gjuhëve, thotë Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Tani gjuha shqipe është gjuhë, me të cilën komunikohet në Parlament, si institucioni më i lartë demokratik i vendit. Ministrat shqiptarë komunikojnë me opinionin, gazetarët dhe qytetarët – gjuha shqipe është gjuhë, në të cilën studiohet në studimet universitare. Pra, gjuha shqipe është në përdorim në të gjitha instancat shtetërore”, thotë Mehmeti.

Por, partia politike shqiptare në opozitë, vlerëson se ligji aktual për përdorimin e gjuhëve, në vend se të garantojë përdorimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror, ajo e sanksionon të njëjtën.

“Më duhet të theksoj se ndodh një absurd. Deputetët e BDI-së kur dalin dhe mbrojnë tezat se gjuha shqipe është zyrtare, atëherë dalin dhe citojnë amendamentin 5 të Kushtetutës, në të cilin theksohet se gjuha shqipe duhet të jetë zyrtare në të gjitha nivelet, po ata duhet të thonë të vërtetën për ligjin që u miratua më 2008 dhe atij së fundmi më 2011, para se të konstituohet Qeveria. Shihet qartë se me këto ligje suspendohet amendamenti 5 i Kushtetutës”, thekson deputeti i PDSH-së, Ziadin Sela.

Sipas Selës, problemi i implementimit praktik të gjuhës shqipe haset në çdo nivel të institucioneve, ku zvarritet dhe po bëhen obstruksione të shumta politike dhe teknike.

“Së shpejti në Parlament do të japim një propozim-ligj për barazi të plotë të përdorimit të gjuhëve zyrtare në vend - dihet se bëhet fjalë për gjuhën shqipe dhe atë maqedonase . Jemi të bindur se vetëm përmes një ligji që do të garantojë përdorimin e gjuhës shqipe në të gjitha nivelet shtetërore, mund të themi se kjo çështje ka marrë të mbarën”, shprehet Sela.

Ndërkaq, intelektualët vlerësojnë se faji për mosimplementimin në praktikë të shqipes qëndron te mungesa e vullnetit politik.

Asllan Hamiti nga Katedra e Albanologjisë në Universitetin e Shkupit, vlerëson se ligji duhet plotësuar dhe me dispozita plotësuese për të zënë vendin e merituar.

Në rend të parë, unë mendoj se gjuha shqipe duhet të bëhet gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë. Ndoshta përmirësimi i përdorimit të gjuhës shqipe do të bëhej nëse me ligj përcaktohet se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në tërë Maqedoninë. E dyta, edhe vetë institucionet duhet të përkujdesen më shumë për implementimin e shqipes si gjuhë zyrtare. Gjithashtu, edhe vetë individët duhet të vetëdijesohen për përdorimin e shqipes”.

Do të ishte mirë të themelohej një këshill institucional për mbrojtjen e gjuhës shqipe që dukshëm do të përmirësonte gjendjen aktuale ku nuk respektohet në shumë raste përdorimi i drejtë i gjuhës shqipe edhe nga vetë institucionet përkatëse”,vlerëson Hamiti.

Ndryshe, anketat e ndryshme kanë nxjerrë në pah se qytetarët nuk janë të informuar në masë të duhur për ligjin që mundëson përdorimin shqipes në të gjitha nivelet shtetërore, ndërkohë që vazhdojnë të drejtohen në gjuhën maqedonase në të gjitha instancat shtetërore.
XS
SM
MD
LG