Ndërlidhjet

logo-print

Përpjekje të paefektshme diplomatike


Barrikadat e serbëve

Barrikadat e serbëve

Policia e Kosovës, thotë se pavarësisht nga ngjarjet politike dhe bisedimet në Bruksel, situata në veri mbetet e njëjtë, ndërsa barrikadat edhe më tej mbajnë të bllokuar rrugët magjistrale kah Jarina dhe Bërnjaku.

Menaxhimi i integruar i kufijve që u diskutua në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, qe thënë se doli si ide për të zbutur gjendjen e ngrirë në veri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, megjithatë, vlerëson si pozitiv faktin, që me gjithë tensionet, nuk ka pasur incidente ndëretnike.

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

“Nuk kemi ndonjë njoftim shtesë sa i përket largimit të këtyre barrikadave. Mund të them se pas incidentit, kur u vra një serb në veri, Policia e Kosovës ka rritur praninë e saj në zonat ku duhet, por nuk ka pasur incidentet të karakterit ndëretnik”, thotë Hoti.

Serbët kanë ngritur mbi 15 barrikada në rrugët që çojnë ka dy pikat kufitare, Jarinë dhe Bërnjak. Aty qëndrojnë me ndërrime qytetarë të ndryshme të komunave veriore. Një nga barrikadat është ngritur në urën kryesore mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe atë veriore, të banuar me serbë.

Jovan Jovaniqit, edhe pse qëndron në barrikada, nuk i pëlqen kjo gjendje.
Si është këtu, çka ka këtu, propagandohet ndryshe, ndërsa gjendja është ndryshe.


“Kur e sheh këtë, të vjen për të qarë. Mua më vjen rëndë të vij këtu, por sot shfrytëzova rastin të vij me këtë grup. Si është këtu, çka ka këtu, propagandohet ndryshe, ndërsa gjendja është ndryshe”, thotë Jovaniq.

Lubisha Kërstiq shprehet më i vendosur që të qëndrojë në barrikada:

“Tani për çdo ditë po na provokojnë, në mënyrë që të na demoralizojnë dhe të na bëjnë që të mos kthehemi. Mendojnë se vijmë dy ditë, dhe më nuk kthehemi. Por, ne do të qëndrojmë këtu”.

Për shkak të mbylljes së rrugëve kryesore që lidhin Kosovën me Serbinë, ka disa muaj që po përdoren rrugët alternative. Pronari i një agjencie transporti, Goran Antiq, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë vështirësitë, linja Kosovë-Serbi e autobusëve të tij, po funksionon rregullisht.

“Ne zakonisht përdorim rrugët përmes fshatit Vraçevë, në të majtë të Leshakut, ndërsa kur atje ka shumë trafik, shkojmë përmes Banjskës, këtu janë dy drejtime në relacionin Mitrovicë-Kralevë-Beograd. Përndryshe, këto rrugë kalojnë nëpër kodra, janë vështirë të kalueshme, diku ka asfalt, e diku jo. Por, derisa nuk bie shi dhe borë, mund të kalojmë. Problem do të jetë kur të ketë reshje”, thotë Antiq, për të shtuar se shpenzimet i kanë tani shumë më të mëdha.

Kemi më shumë shpenzime, udhëtimi na merr më shumë kohë. Maltretohen si ngasësit, ashtu edhe udhëtarët. Është shumë rëndë. Mua më pengon, por çka të bëjmë. Është çështje politike, dhe ne nuk kemi ndonjë ndikim. Qytetarët duhet të udhëtojnë. Edhe po qe se mbyllen të gjitha rrugët, ne do të shkojmë përmes Podujevës, apo kah Zubin Potoku. Njerëzit duhet të udhëtojnë në të dy drejtimet”, shton Antiq.

Barrikadat në veri

Barrikadat në veri


Forca paqeruajtëse e NATO-s, KFOR, ka qenë ndër mekanizmat e vetëm ndërkombëtarë që është marrë me bindjen e banorëve për heqjen e barrikadave.
Por, kohët e fundit, nuk shihet ndonjë aktivitet për lirimin e rrugëve, kryesisht, pasi që përfaqësuesit e serbëve lokalë lejuan lirinë e pjesshme të lëvizjes për KFOR-in.

“Kemi thënë edhe në të kaluarën se ne jemi për lëvizje të lirë, nëse kjo nuk ndodh, ne do t’i heqim barrikadat. Barrikadat e fundit, që kemi hequr ka qenë në Portën 31 dhe në portën 1 dhe që nga atëherë kemi pasur disa lëvizje, por jo heqje të barrikadave”, thotë zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Fillimisht KFOR-i pati thënë se nuk i pranon kushtet e serbëve që këtij misioni t’i lejohet lëvizja, por jo edhe EULEX-it. Sot, situata duket më ndryshe.

“Nuk e di se si po lëvizin njerëzit, por sa i përket KFOR-it, ne nganjëherë kemi telashe, por aktualisht kemi mjaft liri të lëvizjes për të përmbushur detyrat tona”, deklaron Novicki.

Barrikadat në veri janë ngritur në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe në Bërnjak.

Që nga korriku, ku u ndërmor aksioni i parë i Prishtinës për të kthyer kontrollin në pikat kufitare, herë pas here tensionet janë shndërruar në dhunë, siç ishte rasti me vrasjen e policit Enver Zymberajt, dhe djegien e pikës doganore në Jarinë. Deri më tani askush nuk është arrestuar në lidhje me dhunën.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG