Ndërlidhjet

Përplasje në veri, 21 ushtarë të lënduar


Ushtari i KFOR-ir duke qëndruar në afërsi të një barrikade, foto arkiv.

Ushtari i KFOR-ir duke qëndruar në afërsi të një barrikade, foto arkiv.

Zyrtarët e KFOR-it kanë njoftuar se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime, derisa forcat e KFOR-it kanë nisur, brenda natës, largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës.

Shefi i zyrës për informim të KFOR-it, Uve Novicki, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se pas largimit të barrikadës në Rudare, forcat paqeruajtëse kanë reaguar duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin të mbronin barrikadën.

“Mbrëmjen e kaluar, pas orës 23:00, KFOR-i me sukses mori nën kontroll bllokadën e vendosur në Rudare, pa ndonjë incident. Në mesnatë ndërkaq, numri i protestuesve u shtua, me vete sollën edhe tre kamionë dhe avancuan drejt trupave të KFOR-it".

"Protestuesit shfrytëzuan forcën, përfshirë këtu edhe hedhjen me gurë, i shtynë prapa kësisoj forcat e KFOR-it, duke i sulmuar ato, me kamionë të mbushur me zhavorr”, ka thënë Novicki.

"Forcat e KFOR-it u detyruan të shtien në ajër, si shenjë vërejtjeje, dhe gjithashtu KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinj gome, për vetëmbrojtje nga protestuesit që përcillnin kamionët".

"Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejmë të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar të dyja palët, KFOR-i morri vendim për të ndërprerë operacionin. KFOR-i konfirmon se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime”,
ka theksuar Novicki.

Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka treguar për aksionin e KFOR-it në veri dhe ka shpjeguar se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorrit.

Besim Hoti

Besim Hoti

“Janë vendosur serish kamionë me zhavorr për të bllokuar krejtësisht rrugën magjistrale Mitrovicë –Leposaviq, përkatësisht fshatin Rudare të komunës së Zveçanit”, ka bërë të ditur Hoti.

Nga ana tjetër, Radenko Nedeljkoviq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës, në një prononcim për mediat serbe ka thënë se aksioni i KFOR-it ishte i njëanshëm.

“Çka kanë dashur ata të bëjnë mbrëmë, unë në këtë moment nuk di. Por, mund të them se ai ishte një demonstrimi i fuqisë. Në anën tjetër, prapë janë ballafaquar me njerëzit, të cilët nuk duan që t’i largojnë barrikadat. Barrikada për ne nuk janë qëllim, por janë mjet për t’i përmbushur qëllimet tona, e ato janë që të mbesim këtu, si pjesë e Serbisë”, ka thënë Nedeljkoviq.

Aktualisht, sipas autoriteteve të rendit, situata është e qetë.

Po mbrëmë, pas mesnate, në afërsi të zonës së tre rrokaqiejve, ka ndodhur një shpërthim.

Nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale në tri automjete civile, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Dy nga automjetet janë pronë e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare dhe një tjetër e një banori serb. Nuk është raportuar për të lënduar nga ky shpërthim”, ka njoftuar Hoti.

Hoti ka thënë se deri tash është gjetur një granatë dore e tipit M75, prodhim jugosllav. Lagjja e tre rrokaqiejve është zonë e banuar me popullatë të përzier në Mitrovicë.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

Lexoni edhe këtë:
Përpjekje të paefektshme diplomatike
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG