Ndërlidhjet

Akuza Obamës

  • RFE /RL

Barak Obama - foto nga arkivi

Barak Obama - foto nga arkivi

Në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata e kandidatëve të Partisë Republikane për president.

Kandidatët, që shpresojnë ta mundin presidentin Barak Obama, në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, në një debat këtë javë, kanë diskutuar për Afganistanin, Pakistanin dhe Iranin.

Të tetë kandidatët republikanë për president pajtohen vetëm në një çështje: të gjithë ata e akuzojnë presidentin Barak Obama se ka dështuar të merret në mënyrë adekuate me tri sfidat kryesore të politikës së jashtme amerikane: Afganistanin, Pakistanin dhe Iranin.

Por, lidhur me detajet se çka do të bënin ata, paraqiten dallime të mëdha.

Kandidati udhëheqës në këtë moment është ish-kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Njut Gingriç, i cili ka marrë rol kryesor në ripërtëritjen e Partisë Republikane në vitet ‘90.

Gjatë debatit të mbajtur në Uashington, ai e akuzoi presidentin Obama për dobësi në arritjen e qëllimeve amerikane në Afganistan dhe Pakistan dhe premtoi qasje më të ashpër.

“Kjo është ajo që duhet të fillojë. Ju dëshironi t’i mbani trupat amerikane në Afganistan? Ju e keni pranuar një detyrë të nxehtë, ju thoni se nuk ka strehime, ju i ndryshoni rregullat e angazhimit, ju i jepni detyrë ushtrisë në pjesën ushtarake, ju e bëni një rishikim të Departamentit të Shtetit dhe
të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar në mënyrë që ata ta kryejnë punën dhe ju e bëni këtë realisht. Pastaj, ju u thoni pakistanezëve: na ndihmoni ose mos na dilni në rrugë dhe mos u ankoni nëse ne i vrasim njerëzit, kundër të cilëve ju nuk keni vullnet të shkoni në territorin e juaj”, tha Gingriç.

Për Iranin, ai fajësoi Obamën për qasje shumë të butë. Ai tha se strategji më e mirë do të ishte ndryshimi paqësor i regjimit.

“Nëse ne do të ishim seriozë, ne do të mund ta thyenim regjimin iranian brenda një viti”, tha Gingriç dhe shpjegoi se kjo do të arrihej duke filluar “ndërprerjen e furnizimit me naftë në Iran dhe pastaj duke e sabotuar të vetmen rafineri që ata e kanë”.

Duket se kjo qasje e kandidatit Gingriç ishte e bazuar në faktin e mungesave të mëparshme të karburanteve në Iran, që kishin shkaktuar protesta popullore kundër qeverisë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të duhej t’i bombardonin kapacitetet e Iranit, për ta parandaluar këtë vend që të bëhet fuqi atomike, vetëm si “masë të fundit”.

Forcat amerikane në Afganistan

Forcat amerikane në Afganistan

Kandidati tjetër republikan për president, Mit Romni, që në të kaluarën shpeshherë e kryesonte listën e kandidatëve republikanë sipas hulumtimeve të opinionit, po ashtu shprehu qëndrim të ashpër për Afganistanin dhe Pakistanin. Por, ai përdori fjalë më të buta.

Ai nuk u pajtua me synimin e presidentit Obama që nga Afganistani të tërhiqet më herët dhe tha se do të udhëhiqej nga këshillat e komandantëve amerikanë dhe do t’i mbante trupat atje për ta parandaluar shndërrimin e sërishëm të këtij vendi në strehim të sigurt për terroristët.

Ai tha se Pakistanit i duhet zhvillim i shpejtë.

“Ne duhet ta sjellim Pakistanin në shekullin 21, në mënyrë që ky vend të angazhohet nëpër gjithë botën me tregti dhe modernitet”, tha Romni.

Guvernatori Rik Peri, dikur rivali kryesor për pozitën e favoritit ndër kandidatët republikanë për president, tha se do ta ndalte ndihmën për Pakistanin, nëse ky vend nuk do të bashkëpunonte më tepër me Uashingtonin.

Për Iranin, ai tha se do të impononte sanksione.

“Neve na duhen sanksione kundër Bankës Qendrore Iraniane. Kjo do të ishte njëra nga mënyrat për të ndikuar, para se të kemi ndonjë diskutim për sulm ushtarak”, tha Peri.

E vetmja femër në këtë garë, Mishel Bakmen, që një kohë konsiderohej favorite, kishte qëndrim më të butë për Pakistanin, duke thënë se Amerika nuk duhet të lejojë që ky shtet atomik të dështojë.

“Në këtë pikë, unë do ta vazhdoja ndihmën, por mendoj se politika e Obamës, duke qëndruar duarkryq, nuk po funksionon në Pakistan”, tha Bakmen.

Kandidati tjetër, Herman Kejn, ish-person ekzekutiv në biznes, shprehu shqetësim për programin atomik të Iranit, duke thënë se ai do ta mbështeste Izraelin po qe se ai do të kishte “plan të besueshëm” për ta sulmuar Iranin.

Kandidati Ron Pol, gjithnjë zë anti-luftë, kërkoi që të përfundojnë aventurat ushtarake të Shteteve të Bashkuara tej oqeanit.

Ish-guvernatori Xhon Hantsmen i Riu tha se “interesat amerikanë në Lindjen e Mesme janë Izraeli dhe parandalimi i Iranit që të bëhet shtet atomik”.

Kandidati i fundit, senatori Rik Santorum, tha se armatimi atomik i Pakistanit e bën të domosdoshme që ky vend të mbetet mik i Shteteve të Bashkuara. (f.b.)
XS
SM
MD
LG