Ndërlidhjet

logo-print

Gjermania arreston edhe një neo-nazist të dyshuar


Policia gjermane arrestoi të enjtën një burrë me akuzat për mbështetjen e një grupi të neo-nazistëve, i cili besohet se ka vrarë 10 njerëz dhe se ka zbatuar disa sulme të tjera gjatë më shumë se një dekade, njoftoi AP-ja.

Zyra e Prokurorit Federal të Gjermanisë bëri të ditur se gjermani 32 vjeçar, i identifikuar si Andre E. dyshohet të jetë pjesëmarrës në krime duke nxitur urrejtjen dhe duke mbështetur grupin e djathtë terrorist.

Në mes tjerash, ai besohet ta ketë xhiruar një video në vitin 2007, në të cilën grupi merr përsipër përgjegjësinë për vrasjet dhe sulmet e kryera, thanë prokurorët.

Një ekip për operacione speciale e arrestoi të dyshuarin në Berlin gjatë një bastisjeje në mëngjes, në kuadër të se cilës u hetuan edhe katër banesa në qytete të ndryshme të vendit.

I arrestuari u transportua me helikopter për në Karllsruhe-në jug të Gjermanisë, ku pritet të dalë para gjykatësit më vonë gjatë ditës.

Grupi i neo-nazistëve dyshohet të ketë qenë përgjegjës për vrasjen e tetë njerëzve me origjine turke, një greku gjatë viteve 2000 e 2006 dhe një policieje më 2007.

Grupi në fjalë po hetohet gjithashtu për ndërlidhjen eventuale me disa sulme të tjera të nxitura nga urrejtja ndaj të huajve dhe rreth plaçkitjes së bankave përgjatë dhjetëvitëshit të fundit.

Prokurorët thanë se grupi besohet të ketë pasur gisht në dy shpërthime me bomba në Këln më 2001 dhe 2004, caqe të të cilave kanë qenë të huajt.

Nga themeluesit e dyshuar të grupit, është nën arrest 36 vjeçarja, Beate Zshepe, përderisa 34 vjeçari Uve Bënhart dhe 38 vjeçari Uve Mundlos bënë vetëvrasje në banesat e tyre.

Policia ka akuzuar gjithashtu 37 vjeçarin, Holger G. për mbështetje të organizatës.
XS
SM
MD
LG