Ndërlidhjet

Kosova ka vetëm shtatë inspektorë farmaceutikë. Sipas kreut të tyre, Haki Ejupi, kjo shifër paraqet numër të vogël inspektorësh, për t’i luftuar “dukuritë e shumta negative në fushën e farmaceutikës”.

“Me standarde evropiane duhet të ketë inspektorë të veçantë për regjione. Pra, nevojitet numër më i madh i tyre”, thotë Ejupi.

Megjithatë, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, shprehet i kënaqur me punën që bëhet në sektorin farmaceutik.

“Me marrjen e mandatit kam insistuar në punën e inspektoratit farmaceutik dhe ka rezultate evidente. Me resurse jo të mjaftueshme, ata (inspektorët) janë duke e kryer një punë të mirë”, thotë Agani.

Por, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi, problemin nuk e sheh te numri i inspektorëve farmaceutikë, por te presioni i grupeve të caktuara të interesit.

“Inspektorët janë në terren, por sa i kanë duart e lira, sa i lejojnë të veprojnë? Ka qenë një aksion shumë i madh - gjetja e barnave esenciale në institucionet shëndetësore private - por ka pasur shumë presion nga grupe të ndryshme të interesit për t’u hequr gjobat”, thotë Bytyqi.

Ai, një pjesë të fajit ia lë edhe menaxhimit jo të mirë brenda vetë inspektoratit farmaceutik.

“Ndoshta ka numër të vogël të inspektorëve, por nuk mund të kemi edhe shumë më shumë, sepse do t’i kushtonte buxhetit të shtetit. Por, mendoj se edhe menaxhimi është jo i mirë. Duhet të profilizohet inspektorati”, thotë Bytyqi.

Kryeinspektori Haki Ejupi pranon se sfidat, me të cilat ballafaqohet inspektorati farmaceutik, janë të natyrave të ndryshme, por, megjithatë, ai këmbëngul në nevojën e pranimit të inspektorëve të rinj.

Ai po ashtu thekson nevojën e hartimit të ligjeve dhe akteve nënligjore, të cilat rregullojnë statusin e veprimtarisë farmaceutike.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, shprehet optimist se me miratimin e ligjeve të reja dhe transformimin e përgjithshëm të shëndetësisë kosovare, do të krijohet hapësirë më e madhe për punësimin e më shumë inspektorëve farmaceutikë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG