Ndërlidhjet

Integrimi përmes zhvillimit ekonomik


Ilustrim
Ilustrim
Ndërmarrja M-Technologie hyn në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM), e cila merret me projektimin, prodhimin dhe montimin e fasadave. Menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Argjent Këpuska, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungon infrastruktura elementare për të arritur integrim të këtyre ndërmarrjeve në Bashkimin Evropian.

“Shumë vështirë. Vështirësitë kryesore janë të profilizuara në tri fusha, furnizimi jo i rregullt me energji elektrike. Kjo është një kancer një sëmundje kronike për tregun e Kosovës. Është krejtësisht destimuluese për instalimin e pajisjeve, sidomos për ato të nivelit ku ka robotikë, elektronikë, e cila është mjaft e ndjeshme në ndërprerje të rrymës”, thotë Këpuska.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme Këpuska i konsideron si shtylla kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit dhe për këtë autoritetet kosovare duhet të punojnë më shumë në krijimin e një infrastrukture më të mirë.

“Në aspektin e politikave fiskale nuk ka edhe vërejtje të mëdha. Por, në krijimin e një infrastrukture më të mirë, nuk është duke u bërë asgjë. Ky është problemi”, thekson Këpuska.

Autoritetet kompetente në Kosovë janë duke u angazhuar vazhdimisht që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme t’i plotësojnë kushtet bazë për inkuadrimin e tyre në Bashkimin Evropian.


Janë dhjetë fusha veprimi, nëpërmjet të cilave Akti Evropian për Biznese të Vogla, (AEBV) që është vazhdimësi e Kartës Evropiane të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, monitoron arritjet vjetore të vendeve anëtare të këtij akti, ku bën pjesë edhe Kosova.

Kryeshefi i Agjencisë së Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Granit Berisha, gjatë një konference, e cila po mbahen në kuadër të Ditëve të Biznesit të Vogëlm thotë se bizneset e vogla në Kosova janë shtyllë e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë.

Ditët e Biznesit të Vogël është pikërisht një projekt, i cili synon të arrijë një prej qëllimeve thelbësore të strategjisë, si koordinimi i interesave të sektorit publik më atë privat. Dhe, se sot jemi këtu me një projekt plotësisht të ngjashëm të organizuar edhe në nivel të Komisionit Evropian, edhe në 37 shtete të ndryshme të botës, që quhet ‘Java e NVM-ve evropiane’”, bën të ditur Berisha.

Ndryshe, Karta Evropiane për Ndërmarrjet e Vogla, që tashmë quhet Akti Evropian për Biznese të Vogla, është një dokument strategjik, i cili aplikohet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe synim parësor ka mbështetjen dhe inkurajimin e bizneseve të vogla.

Kosova, ndërkaq, zotimet e veta për përmbushjen e këtyre obligimeve i ka bërë në qershor të vitit 2003 në Samitin e Selanikut, që është nënshkruar nga përfaqësues të administratës ndërkombëtare.

Lidhur me integrimin ekonomik të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Bashkimin Evropian, kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini konsideron se ekzekutivi duhet ta përmirësojë edhe më shumë mjedisin institucional, ligjor dhe fiskal për aktivitetin e tyre.
Kosova ende duhet të bëjë progres për integrim ekonomik në BE.



“Integrimi është një proces dhe ne jemi në rrugë të integrimit sa më të shpejtë, por reformat dhe politikat që duhet t’i bëjë Kosova, nuk janë afër. Këtë e tregojnë shumë mirë edhe raportet e progresit të Komisionit Evropian dhe analizat e mekanizmave tjerë ndërkombëtarë. Kosova ende duhet të bëjë progres për integrim ekonomik në BE”, deklaron Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2010 janë identifikuar disa barriera kryesore, me të cilat përballen bizneset në Kosovë.

Njëra prej tyre ka të bëjë më furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike dhe me ujë, të cilat janë probleme serioze për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme prodhuese. Gjithashtu, si një prej barrierave kryesore për zhvillim të shpejtë të NVM-së është përcaktuara edhe qasja e kufizuar në financa.
XS
SM
MD
LG