Ndërlidhjet

ICG: Egjipt - Kthehet revolucioni


Kajro
Kajro
Shtypja e dhunshme e protestave që tundën sërish Sheshin Tahrir dhe lëshuan një valë protestash në Egjipt, është tragjike, megjithatë ajo ofron një mundësi të rrallë për ta rikthyer tranzicionin në shtegun e duhur në kohën kur kishte indikacione për dështimin e tij.

Mesazhi i demonstruesve është i qartë: fuqia duhet të kalojë menjëherë nga regjimi ushtarak te një regjim civil. Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura - i bindur se ka mbështetjen e shumicës së popullit, u kujdes për një kundërpërgjigje të dhunshme e cila do të bëhej më e dhunshme.

Një drejtim më i mençur për autoritetet dhe për tërë shtetin do të ishte që partive politike t’u lejohet t’i kthehen rrënjësisht procesit tranzicional.
Dhunës ndaj protestuesve duhet t’i jepet fund, edhe sektori i sigurisë duhet të vihet nën një regjim civil, ndërsa personat përgjegjës për keqtrajtim duhet të japin llogari.

Shpërthimi i radhës pasqyron më shumë se mllefin ndaj përgjigjes disproporcionale të shërbimeve të sigurisë. Ai është, gjithashtu, produkt i frustrimeve të akumuluara dhe mosbesimit, të cilat kanë formësuar perceptimet e pothuaj të gjithë akterëve politikë - të injoruara nga ushtria që është e bindur se ka mbështetjen e egjiptianëve të zakonshëm.

Protestuesit kanë arsye të mira për t’u shqetësuar për drejtimin, në të cilin Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura po e çonte vendin.

Veprimet e këtij këshilli që nga rrëzimi prej pushtetit të presidentit Hosni Mubarak në muajin shkurt, pra: refuzimi për të ofruar një plan kohor për transferimin e fuqisë tek autoritetet e zgjedhura civile, shtyrja e zgjedhjeve presidenciale deri kah mesi i vitit 2013, marrja e njëanshme e fuqive legjislative e ekzekutive dhe mbyllja e syve para torturave dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut, dëshmojnë, në rastin më të mirë, paaftësinë e pavendosmërinë dhe, në rastin më të keq, synimin për të mbajtur fuqinë për një kohë të pacaktuar.

Për më tepër, që kur Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura ka marrë pushtetin, mbi dhjetë mijë civilë janë gjykuar në gjykatat ushtarake - shumë prej të cilëve në baza politikisht të motivuara, ndërsa kanë rezultuar me vdekjen dhe lëndimin e shumë personave, shtypjet e dhunshme të protestave - sidomos më 9 tetor në demonstratën Koptik në Maspiro.

Si përfundim, SCAF-i ka bërë pak për të ngjallur besimin te lidershipi i tij, ndërsa ka bërë shumë për të rrënjosur frikën rreth mungesës së përkushtimit të tij në transferimin e fuqisë te një autoritet demokratik.

Çelësi për zgjidhjen e krizës aktuale dhe zvogëlimin e rrezikut për përsëritjen e saj është transferimi i fuqisë nga autoriteti ushtarak tek ai civil-te një qeveri e pranueshme për partitë politike dhe lëvizjet e protestuesve. Pra, te një qeveri e përkohshme, e cila do t’ia merrte fuqitë legjislative e ekzekutive SCAF-it për ta marrë ngadalë kontrollin mbi forcat e sigurisë.

Këto fuqi do të duhej të qartësoheshin përmes një deklarate kushtetuese të SCAF-it. Ndërkohë, qeveria e përkohshme do t’ua hapte rrugën zgjedhjeve parlamentare, raundi i parë i të cilave është planifikuar të mbahet më 28 nëntor për t’i dhënë rezultatet e para preliminare në fund të marsit.

Ka argumente të vlefshme për pamundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve gjatë dhunës dhe jostabilitetit aktual. Mirëpo, shtyrja e tyre - të paktën pa ndonjë konsensus në mes të partive politike, mund të kushtojë më shtrenjtë.

SCAF-i ka dërguar disa sinjale inkurajuese. Pas disa hezitimeve, ai ka lënë të kuptohet se, më parë, duhet të adresohet politikisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse kriza aktuale, se sa të eskalojnë konfrontimet, të ulen përdhe, të akuzohen kryesisht agjitatorët ndërkombëtarë apo të bëhen lëshime simbolike.

Ai duhet të bëjë më shumë.

Ai nuk duhet vetëm t’i jetësojë këto përkushtime, por duhet të pajtohet gjithashtu për marrjen përsipër të fuqive të përmendura nga kabineti i ri.

Tranzicioni i Egjiptit pritet të jetë shkëmbor, nëse merret parasysh trashëgimia prej dekadash e regjimit autoritar, mbetja e elementeve të regjimit të kaluar, frika e ushtrisë për humbjen e privilegjeve dhe alarmi i partive politike mbi të, sikurse dhe sfidat e mëdha sociale e ekonomike të vendit.

Por, rregullimi i këtyre rrethanave mund ta vë tranzicionin në një shteg më stabil, më të sigurt dhe më legjitim.(e.p.)
XS
SM
MD
LG