Ndërlidhjet

Ekonomia joformale është ajo e cila e mban peng zhvillimin e ekonomisë në Maqedoni, por njëherësh është pikërisht biznesi gri ai që ruan qetësinë sociale në këtë vend, pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë, thonë njohës të proceseve ekonomike

“Si ka mundësi që pavarësisht asaj se shkalla e papunësisë në Maqedoni arrin mbi 30 për qind, nuk ka tendencë për trazira sociale? Gjithsesi se e vërteta qëndron në atë se shumë nga ata, të cilët janë të evidentuar si të papunë, sigurojnë të ardhura përmes biznesit gri”, thekson Sem Potolikios, këshilltar në Kongresin Amerikan, njëherësh profesor universitar, i cili ka vëzhguar gjendjen ekonomike për disa ditë në Maqedoni.

Përderisa autoritetet shtetërore theksojnë se të gjitha institucionet përkatëse dhe policia financiare po bëjnë përpjekje maksimale për fiskalizimin e tërësishëm të zhvillimit të biznesit, si një nga shtyllat bazë për të luftuar ekonominë joformale, reagojnë biznesmenët dhe zejtarët, sipas të cilëve është pikërisht shteti ai që lejon zhvillimin e biznesit gri.

“Kemi shumë problem me ekonominë joformale. Duke e mbrojtur shtresën sociale, për një kohë të shkurtër edhe zejtarët do të bëhen raste sociale”, thotë kryetari i Odës së Zejtarëve të Shkupit, Nikolla Petrov.

Nga ana tjetër, Menderes Kuçi, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ,vlerëson se shteti ka njohuri të sakta se cilat janë të ardhurat që qarkullojnë përmes ekonomisë joformale, por mbyll sytë për qëllime të caktuara.

Ne jemi të sigurt se shteti ka njohuri të sakta për veprimin e dhe zhvillimin e biznesit joformal dhe njëherësh në formë të kontrolluar lejon ta ushtrojnë të gjitha ata që e bëjnë këtë veprimtari. Shpeshherë në këtë formë tentohet të zbutet elementi social, sepse jo rrallë të gjithë ata që janë të përfshirë në ekonominë joformale, janë të papunë ose tepricë teknologjike”, vlerëson Kuçi.

Sipas Kuçit, gjendja ekonomike në vend është e vështirë, ndërkohë që konkurrenca jolojale do ta sjellë biznesin e vendit në kufi të ekzistencës.

“Shteti duhet të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim, që të mos i trajtojë si kategori sociale, ngase nëse ka nevojë për trajtim social, atëherë le të bëhet një program i mirëfilltë social për këtë kategori që të sigurohet një zgjidhje afatgjate. Ndryshe, shteti duhet të angazhohet për kushte dhe trajtim të barabartë për të gjithë biznesin, duke fiskalizuar gjithçka dhe kudo dhe jo në formë selektive”, shprehet Kuçi.
XS
SM
MD
LG