Ndërlidhjet

logo-print

Edhe burrat të bartin Hixhab!

  • RFE /RL

Alia Elmahdi

Alia Elmahdi

Një blogere egjiptiane ka nisur një fushatë që u bën thirrje burrave të vënë shaminë islamike. Megjithatë, fushata në Facebook, e lansuar nga Alia Elmahdi në mbështetje të të drejtave të grave, është mbyllur pas mijëra ankesave të përdoruesve.

Javën e kaluar, Elmahdi ka tronditur shoqërinë tradicionale të Egjiptit edhe kur ka postuar fotografinë e trupit të saj të zhveshur.

I dashuri i saj, Karem Amer, thotë se arsyet e Elmahdit për të postuar foton në blogun e saj, nuk janë politike. Ai thotë se e dashura e tij ka dashur t’i dërgojë mesazh shoqërisë konservative të Egjiptit, se “trupi i një gruaje nuk duhet të jetë i lidhur me turpin”.

Vetë Elmahdi thotë se arsyet e fushatës “Veshja e Hixhabit në solidaritet me gratë”, janë të ngjashme.

“…sepse, shumë njerëz mohojnë se hixhabi bën diskriminim ndërmjet grave dhe burrave”, thotë ajo, duke u zotuar se të njëjtën fushatë do ta lansojë sërish brenda ditësh.

I vetmi burrë egjiptian, i cili i është përgjigjur fushatës në fjalë, është Magdi Abdelrahem, por ai nuk jeton në Egjipt. Njëzeteshtatëvjeçari, i cili jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, por viziton shpesh Egjiptin, tregon arsyet përse ka marrë pjesë:

“Më pëlqen ideja që burrat t’i mbështesin gratë në vendosjen e kësaj gjëje në kokë. Unë kam postuar fotografinë time, por nuk besoj se shumë burra të Lindjes së Mesme do ta bëjnë gjë të tillë. Ata turpërohen të veprojnë si gratë, apo të jenë si gratë”, thotë Abdelrahem.

Fushata "Ji burrë"

Fushata "Ji burrë"

Por, qindra iranianë nuk e kishin një frikë apo turp të tillë. Në vitin 2009, ata postuan fotografitë e tyre me hixhab, si pjesë e fushatës “Ji burrë”, e cila u lansua në mbështetje të studentit Majid Tavakoli. Ky i fundit u arrestua në protestat masive që zunë vend pas zgjedhjeve të kontestueshme të 2009-ës, në Republikën Islamike.

Fushata në fjalë ka shërbyer po ashtu për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e grave në Iran, ku diskriminimi është i shkruar në kodin ligjor të vendit.

Për shembull, nëse gruaja vritet, “paratë e gjakut” ose pagesa e kompensimit për familjen e saj, është 50 për qind më e vogël se pagesa që do të bëhej po qe se viktima do të ishte burrë.


Lloj i luftës

Aktivistja për të drejtat e grave në Iran, Mehrangiz Kar, thotë se nuk është e befasuar teksa sheh nisma të ngjashme në vendet e tjera myslimane.

“Ky është një lloj i luftës dhe një lloj i shprehjes së pakënaqësisë së tyre”, thotë ajo.

Irani dhe Egjipti nuk ndajnë të njëjtën gjuhë dhe kanë histori të trazuar politike. Por, ata ndajnë një brez të ri të grave, të zemëruara me status quo-në shoqërore.

Elmahdi nuk shprehet e befasuar me dështimin e nismës së saj, duke thënë se burrat egjiptianë kanë frikë nga reagimi publik.

Por, Muhamed Abdelfatah nuk pajtohet. Ai është gazetari që ndihmoi të vinte në dukje vrasjen e Khaled Saidit, i cili ishte “thirrje e tubimit” për opozitën egjiptiane.

“Unë nuk mendoj se ajo është mënyra përmes së cilës unë dua të tregoj mbështetjen time për gratë. Në i respektojmë ndryshimet tona, por ajo nuk është një gjë që do ta bëja. Unë mendoj se ajo është një taktikë qesharake, nuk është serioze. Ne mund të mobilizohemi për të drejtat e grave në shumë mënyra më serioze, të cilat mund të arrijnë synime të vërteta”, thotë Abdelfatah.

Shoqëria e Egjiptit mbetet shumë tradicionale. Shkeljet ndaj grave janë të mëdha, ndërsa Raporti i Këshillit Kombëtar të Egjiptit për Gratë gjen se, nga viti 2003, 98 për qind e rasteve të dhunës seksuale nuk raportohen tek autoritetet. (v.t.)
XS
SM
MD
LG