Ndërlidhjet

Pensionistët: "Falë Zotit që na ndihmojnë fëmijët"


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Kushtet e vështira socio-ekonomike dhe shuma e ulët e pensioneve kanë shtyrë një numër simbolik të pensionistëve që të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Shaban Kajtazi, kryetar i Kuvendit dhe i Kryesisë së Bashkimit të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, kërkoi nga ekzekutivi i vendit rritjen e pensioneve, miratimin e Ligjit për pensione dhe kthimin e statusit të pensionistëve në bazë të kontributit që kanë dhënë.

Ai tha se kjo kategori e shoqërisë, nga qeveria aktuale dhe të gjitha partitë tjera në pushtet, është margjinalizuar, injoruar dhe përbuzur.

“Kjo kategori e njerëzve të merituar, në mesin e të cilëve punëtorë, inxhinierë, profesorë, juristë, minatorë, artistë dhe akademikë, jo vetëm që u injorua, u nënçmua dhe u përbuz nga faktori ndërkombëtar, por mjerisht po injorohet, po nënçmohet dhe po përbuzët përtej çdo norme ligjore, të moralit dhe të etikës njerëzore edhe nga qeveria, presidenca dhe Parlamenti i Kosovës”, tha Kajtazi.

Pensionistët kontribut-pagues në Kosovë marrin nga 80 euro në muaj, ndërsa ata të pleqërisë nga 40 euro në muaj.


Pozita e pensionistëve - shqetësuese

Asllan Asllani, 72 vjeç, është jurist me profesion. Ai thotë se jeta e një pensionisti në Kosovë aktualisht është shumë e vështirë, për shkak të pensionit të vogël.

Ai beson se qeveria ka mundësi ta rrisë vlerën e pensioneve, por, sipas tij, mungon interesimi dhe angazhimi i saj.
Kur zyrtarë të qeverisë, profesorë, dekanë të fakulteteve kanë mundësi të marrin 6000-7000 euro për një muaj, për neve 80 euro janë vdekje.

“Kur zyrtarë të qeverisë, profesorë, dekanë të fakulteteve kanë mundësi të marrin 6000-7000 euro për një muaj, për neve 80 euro janë vdekje. Ky është turp, turp për qeverinë tonë, pasi pensionistët i ka lënë në mjerim”, thotë Asllani.

Pozita e pensionistëve është shqetësuese edhe për Ajet Halilin, 82-vjeçar. Për 42 vjet me radhë, Halili ka punuar në Minierën e Goleshit, ndërsa tani merr 80 euro në muaj, shumë kjo që, sipas tij, nuk mjafton as për barna.

“Askush nuk dëgjon për ne. Kemi kërkuar që dhjetë vjet rritjen e pensioneve. Nuk duhet të dalim as në zgjedhje më, për të votuar për këta njerëz”, shprehet Halili.

Xhevrije Nuredini nuk ka punuar askund, por asaj i takon pensioni i pleqërisë, përkatësisht 40 euro në muaj. Ajo rrëfen se si është jeta me këtë shumë parash.

“Shumë e rëndë sot për sot. Falë Zotit që i kemi fëmijët dhe na ndihmojnë. Por, nuk mundesh gjithmonë të varesh nga ta. Unë jam me diabet, hipertension, reumë dhe për të gjitha këto, 50 euro në muaj nuk mjaftojnë”, thotë Nuredini.

Kryetari i Kuvendit dhe i Kryesisë së Bashkimit të Pensionistëve, Shaban Kajtazi, tha se autoritetet kosovare janë duke shkelur dinjitetin dhe të drejtat elementare të pensionistëve, pasi këta të fundit, sipas tij, pa të drejtë janë sjellë në gjendjen e skamnorëve dhe lypsarëve.

Kajtazi madje tha se në vitet e pasluftës, 60 për qind e vetëvrasjeve në Kosovë janë kryer nga radhët e pensionistëve.

“Për fat të keq, kjo sjellje po ndodh nga djemtë dhe vajzat tona, për të cilët mezi pritëm t’ua japim votat dhe t’i sjellim në pushtet, duke i shkolluar ata nëpër bodrume e shtëpi private, nën kushte shumë të vështira”, u shpreh Kajtazi.

Përfaqësuesit e pensionistëve ka kohë që kanë kërkuar nga autoritetet përgjegjëse t’i rrisin pensionet për të gjitha kategoritë, përfshirë edhe pensionet e pleqërisë.

Sipas tyre, vlera e pensioneve mesatare duhet të jetë 60 për qind nga vlera e pagës mesatare në Kosovë, apo, sipas llogaritjes së tyre, rreth 230 euro në muaj.

Këto kërkesa janë bërë më të zëshme që nga janari i këtij viti, kur Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për punëtorët e sektorit publik nga 30 deri në 50 për qind.
XS
SM
MD
LG