Ndërlidhjet

WSJ: “Qasja bërthamore” ndaj naftës iraniane


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

"The Wall Street Journal"

Të hënën, kompania e vlerësimeve Moody’s edhe një herë tërhoqi vërejtjen se normat e kredive të Francës janë nën presionin e kostos së huave të shtetit.

Por, atë ditë, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, vendosi t’i bashkohet një embargoje të ashpër evropiane mbi Iranin, duke e barazuar karakterin e tregut të naftës me “karakterin bërthamor”.

Të enjten, Parisi dëshmoi këtë duke shpallur ndalimin e njëanshëm mbi produktet e papërpunuara të Teheranit, si pjesë e fushatës për rritjen e presionit, për shkak të programit të tij të kontestuar bërthamor.

Një diplomat francez, me kërkesën për të mbetur anonim, tha se shteti është në “diskutime me të gjithë partnerët evropianë” për zgjerimin e masave ndaluese.

Mirëpo, ende ka shumë që besojnë se masat ndaluese të Evropës nuk do ta ndihmojnë ekonominë e Eurozonës.

Të enjten, Valdemar Pavlak, zëvendëskryeministri i Polonisë, duke thënë se po deklarohet në baza personale, tha se një embargo potenciale ndaj eksporteve të Iranit mund të shkaktojë çmime më të larta të energjisë.

Për më keq, analistët thonë se përderisa embargoja do të ishte e dizajnuar për të ngushtuar lakun përreth qafës së Teheranit, ajo do të ndihmonte në fakt që ekonomive të dëmtuara të Evropës Jugore, t’iu zihet fryma.

“Vazhdimi, pa naftën e papërpunuar të Iranit, do të jetë një sfidë më e madhe për periferitë jugore të Evropës, d.m.th. për të njëjtat shtete që janë duke vuajtur më së shumti nga çështjet e kredive”, tha në një vlerësim këtë javë Oliver Jakob, nga konsulenca zvicerane Petromatrix.

“Do të jetë interesante të shihet se si rafineritë greke do të mbijetojnë pa naftën e papërpunuar të Iranit”, tha ai.

Harta e importuesve kryesorë të naftës së papërpunuar iraniane në Evropë reflekton pjesën më të trazuar të Eurozonës: Italinë, Spanjën dhe Greqinë.

Pas përfundimit të luftës në Libi dhe ndalimit të importit të naftës nga Siria, një përçarje e vetëshkaktuar me Iranin mund ta shtyjë Evropën më tej në këtë drejtim.

Diplomati francez nuk deshi të komentojë mbi pasojat financiare të një mase të tillë, duke thënë se nuk u takon diplomatëve të hulumtojnë ekonominë.

Në letër, ndikimi i një ndalimi evropian mbi tregjet e energjisë së Francës do të dukej i padobishëm.

Administrata e Shteteve të Bashkuara për Informacione të Energjisë vlerëson se Franca importoi 49 mijë barelë të naftës së papërpunuar iraniane çdo ditë në vitin 2010.

Mirëpo, tregjet e naftës janë të pakufishme dhe nëse Italia kap më shumë naftë të papërpunuar nga Arabia Saudite dhe paguan më shumë për të, fqinjët e saj veriorë do të duhet ta barazojnë çmimin. Për më tepër, rreziku i rënies në jug të Alpeve ka shkaktuar tashmë kokëdhembje për pjesën e mbetur të kontinentit.

Për të qenë të sigurt, Shtetet e Bashkuara shpallën një embargo ndaj naftës iraniane tri dekada më parë. Por, Uashingtoni asnjëherë nuk ka qenë i varur nga nafta iraniane sa është tani Evropa Jugore. Më 1979, nafta iraniane përbënte 4% të konsumit amerikan.

Italia dhe Spanja, ndërkaq, me pak naftë të vetën, varen nga nafta iraniane me 13% dhe 18% nga importi i tyre i përgjithshëm i naftës.

Për momentin, Franca ka zgjedhur të shkojë e vetme. Vihet në pyetje se a është marrë parasysh gjendja e saj e brendshme. Si shumica e gjërave në Bashkimin Evropian, agjenda në shtëpi do të mbisundojë derisa Bashkimi Evropian të flasë me një zë. (e.p.)
XS
SM
MD
LG