Ndërlidhjet

BE kërkon më shumë hapa

  • RFE /RL

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuj, ka pritur presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Bruksel, 25 nëntor 2011.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuj, ka pritur presidentin e Serbisë, Boris Tadiq. Bruksel, 25 nëntor 2011.

Serbia ka intensifikuar angazhimin e saj në Bruksel për të përfituar mbështetje sa më të madhe për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për të cilin do të diskutohet në samitin e 9 dhjetorit në Bruksel.

Vetëm gjatë kësaj jave, në vizita të ndara në Bruksel, kanë qëndruar gjashtë zyrtarë të lartë shtetërorë të Serbisë, ndërsa sot edhe vetë presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ndodhet në këtë vend, ku ka zhvilluar dhe një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuj.

Ky i fundit, në një deklaratë të lëshuar nga kabineti i tij, ka thënë se në samitin e BE-së do të shqyrtohet mendimi i Komisionit Evropian për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë.

Ai ka mirëpritur angazhimin personal të presidentit Tadiq dhe vendosmërinë e tij për të plotësuar kriteret politike dhe ekonomike për anëtarësim në bllokun evropian.

Por, Rompuj e ka përkujtuar presidentin serb se duhet të ndërmarrë më shumë hapa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd.

Bruksel, 25 nëntor 2011.

Bruksel, 25 nëntor 2011.

“Duke pasur parasysh rezultatet e fundit të dialogut, unë inkurajoj presidentin Tadiq që të ndërmarrë hapa të mëtejmë për t’i bindur shtetet anëtare të BE-së se Serbia angazhohet seriozisht në dialog me Kosovën dhe se është duke zbatuar me vullnet të mirë marrëveshjet e arritura deri më tash”, ka thënë Rompuj, duke shtuar se bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë janë pjesë kyçe të procesit të zgjerimit.

Rompuj ka përsëritur se Këshilli i BE-së do të vlerësojë secilin shtet në bazë të meritave individuale, duke u bazuar në kushtëzimet rigoroze, por të drejta.

Ndërkohë, shumë diplomatë të BE-së kanë pohuar se, përkundër rezultateve të vogla, raundi i fundit i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe paralajmërimi i zhvillimit të një raundi tjetër në fund të javës që vjen, i kanë rritur dukshëm gjasat e Serbisë për të marrë statusin e kandidatit.

Por, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, u ka bërë ftesë vendeve anëtare të BE-së që të insistojnë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga ana e Serbisë, para se asaj t’i jepet statusi i kandidatit.

Lunaçek ka thënë se “asnjë nga marrëveshjet e arritura deri më tash, nuk është duke u zbatuar në tërësi nga Serbia”.

Lunaçek ka thënë se nuk duhet harruar se edhe problemet në veri të Kosovës kanë filluar pas refuzimit të Serbisë që në dialog të pranojë njohjen e vulave të Doganave të Kosovës, ndonëse një kërkesë për t’i njohur ato ishte bërë që në vitin 2009, kur “edhe vetë UNMIK-u kishte vlerësuar se ato vula duhen pranuar dhe se nuk janë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të OKB-së”.

Por, ndryshe nga Lunaçek, në BE ka shumë zyrtarë, të cilët fajin për situatën momentale në veri të Kosovës duan ta hedhin edhe mbi ato që quajnë “veprime unilaterale të autoriteteve të Prishtinës”.

Konsultimet rreth dhënies ose jo të statusit të kandidatit Serbisë po vazhdojnë dhe ato pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë këtyre ditëve.

Ndërkohë, as në BE, as në NATO, nuk kanë dashur t’i komentojnë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ku kanë pësuar lëndime edhe dhjetëra ushtarë të NATO-s.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG