Ndërlidhjet

logo-print

Në BERZH, më 2011 apo 2012?


Selia e Bankës Europiane

Selia e Bankës Europiane

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të lartë qeveritarë se Kosova deri në fund të këtij viti, do të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), gjasat për sivjet janë të vogla.

Këshilltari politik i ministrit të Financave, Mendëres Ibra, thotë se ekzekutivi vazhdimisht është duke punuar në këtë drejtim, edhe pse në bazë të negociatave që janë duke u zhvilluar me disa nga shtetet anëtare të këtij mekanizimi, shpresat janë të vogla që gjatë këtij viti Kosova të bëhet anëtare në BERZH.

“Aktualisht, na mungojnë edhe dy vota për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm, por janë duke u bëra negociata të vazhdueshme në nivele diplomatike rreth sigurimit të votave të mjaftueshme për anëtarësim”.

“Por, meqë janë duke u vazhduar negociata dhe biseda të ndryshme, nuk mund të emërtoj shtetet, pasi ka më tepër vende, me të cilat jemi duke biseduar”,
thotë Ibra.

Në anën tjetër, vetë ministri i Financave, Bedri Hamza, në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në muajin qershor, pati deklaruar se autoritetet kompetente janë përgatitur për këtë çështje dhe, siç qe shprehur ai, deri në fund të vitit Kosova do të jetë anëtare e BERZH-it.

“Kosova është duke punuar dhe është shumë afër BERZH-it. Jemi afër dhe shpresojmë se, duke punuar të gjithë bashkërisht, brenda këtij viti do të arrijmë të jemi anëtarë të këtij institucioni ndërkombëtar, shumë të rëndësishëm”, pati thënë Hamza.

Sidoqoftë, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se anëtarësimi në BERZH më shumë ka karakter politik, kështu që me një presion më të madh politik nga institucionet vendore, Kosova mund të gëzojë statusin e anëtarit të plotë në këtë mekanizëm financiar evropian.

Lumir Abdixhiku, nga Instituti “Riinvest”, thotë se përfitimet nga anëtarësimi i Kosovë në këtë institucion janë shumë të mëdha, pasi, siç thotë ai, BERZH-i është një nga mekanizmat kryesorë për financimin e projekteve kapitale në gjithë rajonin.

Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku

“Edhe në trendin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, për investime kapitale do të ishin më qenësore. Për më tepër, Kosova ka nevojë për ndihmë financiare, sidomos në sektorin e ndërtimit të rrugëve dhe autostradave të mëdha, kështu që ndihma financiare nga BERZH-i është e domosdoshme”, pohon Abdixhiku.

Ndërkaq, Abdixhiku vlerëson se anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm do të ndikojë edhe në përmirësimin e raporteve të vendit tonë, me institucionet tjera ndërkombëtare financiare, siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“BERZH- nuk e ka pritur mirë assesi shpërbërjen e marrëdhënies kontraktuale me marrëdhënie monitoruese me FMN-në. Megjithatë, ne duhet të jemi mjaft vigjilentë në këtë periudhë të nevojave të mëdha dhe të kërkojmë riparimin e këtyre marrëdhënieve”.

“Besoj se anëtarësimi në BERZH do të ishte ndihmues i madh i burimeve të financimit dhe ndoshta edhe përmirësimit të marrëdhënieve me FMN-në, meqënese jep alternativa më të qëndrueshme financiare për projekte kapitale të Kosovës”,
thekson Abdixhiku.

Në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë të përfshira 61 shtete dhe dy institucione financiare. Republikës së Kosovës për anëtarësim i nevojiten së paku 2/3 e votave të shteteve të BERZH-it .

Ndryshe, kjo bankë në bashkëpunim më sektorin privat investon projekte në 29 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG