Ndërlidhjet

logo-print

IHT: Rregullat e tranzicionit


Tunizi

Tunizi

“The International Herald Tribune”

Pothuajse një vit pas vënies në lëvizje të rebelimit arab, perdja po hapet për “Aktin Dy” të dramës që po transformon rajonin. Në Tunizi, një hap i madh u bë duke mbajtur zgjedhje të besueshme. Në Egjipt, zgjedhjet janë të parapara për të hënën, por këtij vendi i mungon konsensusi për të përcjellë hapat e Tunizisë.

Derisa audienca perëndimore është e kapluar nga perfomanca e partive islamike, në Egjipt janë detajet teknike të marrëveshjeve kushtetuese dhe elektorale që përbëjnë çelësin në shpalosjen e dramës.

Shkrimin e tranzicionit Tunizia e kishte hartuar në pranverë, kur autoritetet e përkohshme e vendit miratuan një sistem zgjedhor. Fillimisht, ata ishin të prirë për të përdorur një sistem të shumicës, që do të jepte një bonus ulësesh për partitë që fitojnë më shumë vota.

Megjithatë, pas shumë shqyrtimesh, ata hodhën poshtë përvojën e mëparshme dhe miratuan një sistem proporcional, duke i lejuar partitë e reja relativisht të vogla, të fitojnë ulëse, ndërsa u siguruan që të gjitha rajonet në vend të jenë të përfaqësuara.
Duke qenë gjithëpërfshirës, sistemi i ri ka provuar të jetë i përshtatshëm për një tranzicion post-revolucionar.

Në Egjipt, gjithashtu, sistemi zgjedhor është ndryshuar me vendimin e këshillit ushtarak, nën presion publik. Si rezultat, zgjedhjet e ardhshme paraqesin një mundësi më të mirë për të prodhuar rezultate më proporcionale.

Zgjedhjet në Egjipt është paraparë të përcillen me reforma kushtetuese, por përmbajtja e reformave ka krijuar tensione, të cilat kontribuuan në pakënaqësinë e tashme popullore.

Të gjitha palët politike i kanë shqetësimet e tyre. Këshilli ushtarak nuk dëshiron ta humbë pozitën që e ka shijuar që kur Gamal Abdel Naser ka marrë pushtetin. Ndërsa, grupet liberale i frikësohen kontrollit të vazhdueshëm ushtarak.

Vëllazëria Myslimane, nga ana tjetër, është e shqetësuar për çdo gjë që ka të bëjë me një përpjekje për të minuar pushtetin e tyre politik që do të vinte me fitoren zgjedhore. Pas dekadave të represionit, ata besojnë se tani e kanë momentin politik, dhe nuk duan të humbin atë.

Këto frika të pazëshme nuk janë shenja të mira të ndërtimit të shtetit. Por, Afrika e Jugut ka treguar se si mund të menaxhohet frika e tillë. Rregullat e tranzicionit të saj të komplikuar ishin pajtuar ndërmjet partive kryesore shumë përpara zgjedhjeve.

Në Egjipt, plani aktual parasheh që anëtarët e zgjedhur të Parlamentit të zgjedhin një Asamble kushtetuese me një shumicë të thjeshtë, me rrezikun e prekshëm se kuvendi do të përfaqësojë vetëm një pjesë të kufizuar politike, dhe jo pluralizmin e Sheshit Tahrir.

Megjithatë, kjo ide është diskutuar paksa. Disa liberalë do të donin një asamble ku përfaqësohen grupet profesionale.

Por, kjo nxiti aq shumë Vëllazërinë Myslimane sa që ata mbajtën një demonstratë të madhe të premten e kaluar, dhe që kontribuoi në valën aktuale të protestave. Vëllazëria e sheh çdo alternativë për planin e tashëm si një përpjekje për të penguar ambiciet e tyre para zgjedhjeve.

Rruga e Tunizisë për zgjedhje ishte e vështirë, por negociatat midis grupeve të ndryshme politike sollën stabilitetin e nevojshëm. Në të kundërtën, këshilli ushtarak në Egjipt ka bërë shumë pak konsultime duke marrë si përgjigje demonstratat.

Egjipti ka nevojë për konsultime rreth tranzicionit dhe procedurat e vendimmarrjes që krijojnë besim dhe konsensus. Mësimet e Egjiptit dhe suksesi i Tunizisë nuk duhen harruar nga pjesa tjetër e rajonit: Përfshirja është antidot për brishtësinë e natyrshme të çdo tranzicioni.(e.b.)
XS
SM
MD
LG