Ndërlidhjet

Maqedoni: Emri pengon integrimin


Ilustrim
Ilustrim
Derisa moszgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë vazhdon të pengojë procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, gjendja e status quo-së paraqet rrezik, si për të ardhmen e vendit, ashtu edhe për stabilitetin e rajonit, vlerësojnë ekspertët e pavarur.

Rizvan Sulejmani nga Instituti për Kërkime Socio-politike, thotë se Maqedonia hyn në një fazë kritike sa i përket stabilitetit të vendit, aq më shumë që për momentin lëvizjet dramatike në Bashkimin Evropian dhe më gjerë në skenën ndërkombëtare, mund të transferohen edhe në Maqedoni, përfshirë dhe situatën e krijuar së fundi në veriun e Kosovës.

Në një situatë të tillë të eskalimit të krizës, por edhe për shkak të hapësirës së ngushtuar të rajonit për t’u anëtarësuar në BE, sipas Sulejmanit, mund të vijë deri te ndryshimi i orientimit strategjik të Maqedonisë.

Nuk besoj se mund të ketë një konflikt të hapur shqiptaro-maqedonas, por eventualisht hapja e pakos për çështjen në Maqedoni, dhe formës së zgjidhjes së përcaktimit strategjik të vendit, sipas synimit të shqiptarëve apo të maqedonasve, detyrimisht do të involvojë dhe Serbinë, Bullgarinë, Turqinë e Greqinë dhe shqiptarët, që është një proces shumë i ndërlikuar dhe dyshoj se ndokush e ka seriozisht të punojë në projektin e quajtur ndryshim i kufijve në Ballkan. Ajo që ne mund të bëjmë si shqiptarë këtu është të ndihmojmë duke bërë me dije se sa i rrezikshëm është një proces, nëse prishen balancat e ndërtuara në Ballkan”, thotë Sulejmani.

Nga ana tjetër, Stevo Pendarovski, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Shkup, vlerëson se përderisa Maqedonia ngec në proceset euro-integruese, kërcënohen dhe raportet ndëretnike, ngase dy bashkësitë më të mëdha etnike në Maqedoni kanë qasje diametralisht të kundërta sa i përket integrimit të vendit në NATO dhe BE.

“Është më se e qartë se mbështetje për ndryshimin e kufijve në Ballkan nuk ka nga asnjë forcë relevante politike. Por, duhet pasur parasysh se rajoni hyn në një situatë delikate ku çdo tendencë, sado e vogël të jetë, për destabilizim nuk duhet hedhur apriori. Kjo ngase në Maqedoni kemi një situatë të brishtë, për të cilën liderët e njërës apo tjetrës bashkësi etnike tregojnë qëndrime që aspak nuk përputhen me idenë që sa më shpejtë të realizojmë qëllimin strategjik dhe të integrohemi në NATO”, vlerëson Pendarovski.

Ai shpreh skepticizëm sa i përket samitit të ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në muajin prill në Çikago, ku, sipas Pendarovskit, Maqedonia nuk do të marrë ftesë dhe me këtë, ky samit do të jetë i treti me radhë pas 2008-s që Maqedonia të mos përfshihet fare në Komunikatën përfundimtare të samitit të NATO-s.
XS
SM
MD
LG