Ndërlidhjet

Identiteti kosovar, real apo artificial



(Fotografitë tregojnë pamje nga festa e 28 Nëntorit në Prishtinë)


Ekziston ose jo identiteti kosovar? Kjo çështje është bërë një nga temat e debatit, shpeshherë edhe të tensionuar, i cili po vazhdon në Kosovë, në qarqet politike, publicistike dhe shkencore.

Shumica e tyre pohojnë se identiteti kosovar ekziston, por jo të gjitha kanë qasje të njëjtë ndaj këtij nocioni. Disa e shohin si identitet regjional, e për më shumë edhe shtetëror. Disa të tjerë, këtij kuptimi ia shtojnë edhe identitetin kombëtar kosovar, gjë që ka shkaktuar irritimin e kundërshtarëve të kësaj teze.

Halil Matoshi, publicist, thotë se identiteti kosovar, në rend të parë, është një identitet gjeografik i një territori ku jeton një popull, e pastaj një identitet historik.

Sipas tij, pas viteve ‘90, identiteti kosovar është një identitet kombëtar. Në vitin 2008, shton Matoshi, “ky entitet gjeografik, politik dhe historik është shndërruar në një njësi të rritur, do të thotë në një identitet juridik-kushtetues, gjë që e bën një komb”.

Halil Matoshi

Halil Matoshi

“Është një komb i dalë nga konflikti dhe i mbështetur në ligj. Do të thotë, të gjithë njerëzit që i mbështesin ligjet e Kosovës, që derivojnë nga Kushtetuta e Kosovës, mund të quhen lirisht komb kosovar, i cili, objektivisht, me një shumicë etnike shqiptare, por edhe me komunitetet tjera, të cilat, nëse e respektojnë me vullnet të lirë politik shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës, lirisht mund të themi se po i bashkëngjiten shumicës etnike shqiptare në krijimin e kombit të vullnetit politik dhe të miqësisë qytetare”, thotë Matoshi.

Por, një gjë të tillë e kundërshton Glauk Konjufca, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai thotë se nocioni identitet kosovar, në kuptimin e kombit, është ide apo temë që është nxitur në mënyrë artificiale dhe që është aktualizuar më me vrull pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.

Konjufca thekson se mbi 90 për qind të popullit në Kosovë e përbëjnë shqiptarët. Shtypja e tyre nga, siç i quan ai, okupatorët serbë, ka qenë edhe shkak për luftën në Kosovë.

Për shkak të kësaj shumice, thotë Konjfca, është shpallur edhe shteti i pavarur i Kosovës, i cili vazhdon të jetë i mbikëqyrur nga faktori ndërkombëtar. Por, sipas, tij, gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen.

“Kur ta kompletojmë sovranitetin e plotë, atëherë duhet ta pyesim popullin në Kosovë dhe popullin në Shqipëri se çfarë hapësire të ardhshme, të përbashkët politike duan të kenë”.

“Sipas informatave që kam unë dhe sipas sondazheve që i kam parë, mendoj se gjysma e kombit shqiptar, do të thotë 60 deri 70 për qind, matanë dhe këndej kufirit të vendosur padrejtësisht, tashmë është përcaktuar për një bashkësi të përbashkët politike - me vullnetin e tyre e kam fjalën - në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo e tregon vullnetin e përbashkët të shqiptarëve. Kjo tregon se jo vetëm që jemi një komb si etni, por po bëhemi gjithnjë e më shumë një komb edhe në veprim të përbashkët. Kjo është ajo që e krijon kombin edhe politikisht”, thotë Konjufca.


Identiteti kombëtar nuk ndërtohet "brenda natës"

Historiani Jahja Drançolli thotë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vërehen tendencat që të krijohet një identitet kosovar, duke u bazuar në formimin e shtetit.

Por, sipas tij, identitetet kombëtare nuk ndërtohen “brenda natës”. Ai thotë se e ardhmja do të tregojë se sa e suksesshme do të jetë ideja për identitetin kombëtar kosovar. Tash për tash, shton Drançolli, janë mjaft fakte që nuk janë në favor të kësaj ideje.

“Vetë manifestimet e ngjarjeve të mëdha, për shembull 28 Nëntori, flasin bindshëm. Mandej edhe simbolika, flamujt e të tjera, që i shohim përditë, dominojnë në kahun se kosovarët, popullata kosovare aludon në identitetin shqiptar. Po shihet se flamuri i shtetit të Kosovës na ka mbetur pothuajse nën hijen e flamurit kombëtar”, thotë Drançolli.

Sipas tij, edhe decentralizimi në Kosovë është bërë duke përfshirë rajonet mbi baza të identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, shton Drançolli, ndërtimi i shtetit të Kosovës në të ardhmen do t’i ruajë konturat e identiteteve kombëtare të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG