Ndërlidhjet

logo-print

Edhe 23 ushtarë të lënduar




Edhe 23 ushtarë të tjerë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it kanë marrë lëndime gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Jagnjenicë të Zubin Potokut, ka njoftuar zyra për informim e KFOR-it.

Në një komunikatë për shtyp, të lëshuar në orët e vona të mbrëmjes së 28 nëntorit, thuhet se “dhuna nga protestuesit ende vazhdon”.

“Protestuesit nuk mund të cilësohen aspak si demonstrues paqësorë, por si të dhunshëm dhe kriminalë”, thuhet në komunikatë.

Deri më tani, KFOR-i ka përdorur vetëm gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji, por, thuhet në komunikatë, “në situata kërcënuese për jetën sikurse kjo, ushtarët e KFOR-it do të përgjigjen me te gjitha mjetet proporcionale”.

* * * * * * *

Protestuesit serbë në Jagnjenicë të Zubin Potokut, pasdite vonë, kanë përdorur fishekzjarre dhe koktej molotovi kundër trupave të KFOR-it.

“Përsëri një numër i ushtarëve të KFOR-it janë lënduar”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it, në të cilën nuk jepet numri i saktë i të lënduarve.

Në mëngjesin e së hënës, dy ushtarë gjermanë të KFOR-it u plagosën me armë të vogla zjarri nga ana e protestuesve serbë, gjatë përpjekjes së KFOR-it për heqjen e barrikadës në Jagnjenicë.

“Njëri nga ushtarët ishte komandant i batalionit të trupave, i përfshirë në largimin e barrikadave. Ushtarët e KFOR-it janë në trajtim mjekësor në Kampin Bondsteel. KFOR-i mund të konfirmojë se ata nuk kanë pësuar lëndime të rënda”, tha forca paqeruajtëse në përbërje të NATO-s, KFOR, përmes një komunikate për media të lëshuar në orët e mbrëmjes.

KFOR-i bëri të ditur se cisternat me ujë janë ende të pozicionuara dhe janë përdorur për t’i parandaluar demonstruesit nga reagimet e mëtutjeshme të dhunshme kundër trupave të këtij misioni.

Më herët, zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, dha detaje në lidhje me plagosjen e ushtarëve me armë zjarri.

“Siç e dimë, sot në mëngjes, pas orës 9, trupat e KFOR-it kanë hequr me sukses bllokadën në Jagnjenicë të Zubin Potokut. Trupat e KFOR-it, së pari, kanë siguruar bllokadën me këmbësorinë, e pastaj kanë përdorur makinerinë e specializuar për të larguar automjetet nga barrikadat. KFOR-i ka përdorur topa uji për të penguar dhunën e mëtejme të protestuesve ndaj trupave të KFOR-it. Në ndërkohë, gjatë operacionit, një grup i vogël i protestuesve ka përdorur armë të vogla zjarri, me të cilat i ka plagosur dy ushtarë të KFOR-it”, tha Novicki.

Mediat serbe citojnë zyrtarë të shtëpisë së shëndetit në Zubin Potok të kenë thënë se dhjetëra qytetarë kanë marrë lëndime gjatë konfrontimeve të sotme, “porse asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”.

Ka qenë e pamundur që të kontaktohen me telefon punonjësit shëndetësorë apo edhe përfaqësuesit politikë të kësaj komune për të marrë informacione më të detajuara.

Zëdhënësi Novicki konfirmoi se KFOR-i ka përdorur plumba gome e gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, e cila po kundërshtonte heqjen e barrikadës.

“KFOR-i konfirmon se ka paralajmëruar protestuesit që të mos përdorin armë të vogla, sepse përndryshe do të detyrohemi që të reagojmë, ndërsa ajo që bëmë ne, ishte përdorimi shumë i izoluar i plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe sprejit djegës, me qëllim që t’i mbajmë larg nga ushtarët protestuesit. E tërë kjo është ndërmarrë si reagim ndaj protestuesve, pasi ata plagosën dy ushtarët tanë”, u shpreh Novicki.

Në KFOR thonë se janë vënë kontakte me përfaqësues të komunës veriore të Zubin Potokut dhe se aktualisht situata është më e qetë, edhe pse protestuesit serbë, sqaroi Novicki, hedhin ujë mbi ushtarët nga automjetet e zjarrfikësve.

Përplasja e sotme pason atë të 24 nëntorit, me ç’rast 21 ushtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime, pas përpjekjeve për të larguar një barrikadë në veri të Kosovës.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG