Ndërlidhjet

Egjipti voton


Kajro - Në radhë për të votuar...
Kajro - Në radhë për të votuar...
Procesi i zgjedhjeve në Egjipt për Dhomën e Ulët dhe atë të Epërme të Parlamentit, filloi sot, vazhdon nesër, dy raunde mbahen në janar, ndërsa votimet përfundojnë në muajin mars, me tri rrethe të votimit.

Njëra nga detyrat e para të legjislaturës së re do të jetë krijimi i një komiteti për ndryshime të Kushtetutës, ndërsa zgjedhjet presidenciale parashihen për qershor të vitit të ardhshëm.

Votimi po bëhet në periudhën e frustrimeve në rritje lidhur me mënyrën se si ushtria po e menaxhon tranzicionin demokratik dhe në kohën kur ka shpërthyer dhuna vdekjeprurëse ndërmjet forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Nëntë muaj pas revoltës popullore, që e mbylli sundimin më se 30-vjeçar të ish-presidentit Hosni Mubarak, euforia revolucionare e shumë egjiptianëve duket se është shndërruar në mosbesim ndaj gjeneralëve, të cilët e zëvendësuan Mubarakun.

Kajro, 28 nëntor 2011.
Kajro, 28 nëntor 2011.
Javën e kaluar, më se 40 vetë u vranë, kur forcat e sigurisë u përleshën me protestuesit, të cilët thonë se ndryshimi politik është dobësuar, pasi Këshilli Ushtarak udhëheqës më tepër është i fokusuar në ruajtjen e fuqisë së tij dhe të privilegjeve, sesa për kujdesin e transformimit demokratik.

Por, Marshali Husein Tantavi, shef i Këshillit Ushtarak të Egjiptit, që po e udhëheq këtë vend, thotë se të gjitha grupet politike duhet të përfaqësohen në parlamentin e ri.

“Dëshiroj t’i drejtohem popullit të madh të Egjiptit, atyre që votojnë. U lutem atyre që të votojnë, pasi ne dëshirojmë një parlament të balancuar dhe ne dëshirojmë përfaqësim të të gjitha grupeve”, thotë Tantavi.

Në këto zgjedhje marrin pjesë shumë parti të reja politike, që janë formuar prej dorëheqjes së Mubarakut.

Votuesi nga kryeqyteti Kajro, Ibrahim al-Savaf, duke i krahasuar zgjedhjet në kohën e regjimit të Mubarakut dhe ato të tashmet, thotë:

“Me këto zgjedhje, sinqerisht, populli e merr forcën. Siç po e shihni, ata janë aty prej orëve të mëngjesit. Përpara, në zgjedhjet e fundit, të vetmit njerëz që shkonin për votim, ishin ata që kishin kartela zgjedhore dhe, kuptohet, shumica e atyre që i takonin regjimit të mëparshëm. Ata që nuk kishin kartela zgjedhore, nuk mund të hynin në vendvotime dhe aty ishin banditët që rrinin në dyer për t’i përzënë ata”, thotë al-Savaf.

Së paku 1 mijë njerëz ishin në radhë në një vendvotim në Zamalek, lagje në pjesën qendrore të Kajros, kur votimet filluan në mëngjes.

Rreshti i pritjes ishte i gjatë dhe kalonte nëpër blloqe të banesave, ku ishin vendosur fotografi të kandidatëve dhe të partive politike.
Jam këtu sepse e kam një ndjenjë se vota ime ka peshë. Para kësaj, vota jonë nuk kishte kurrfarë vlere.

Votuesja Magdi, po ashtu nga kryeqyteti Kajro, thotë se sheh dallim të madh ndërmjet votimeve të sotme dhe atyre të mëparshmeve.

“Jam këtu sepse e kam një ndjenjë se vota ime ka peshë. Para kësaj, vota jonë nuk kishte kurrfarë vlere. Për këtë arsye, njerëzit tani duan të bëjnë diçka për vendin e tyre. Ju ndjeni se po bëni diçka për të lëvizur drejt demokracisë reale”, thotë Magdi.

Në Aleksandri, demonstruesi Halid Shara shpreh një cinizëm për votimet, por, megjithatë, vlerëson se ato janë të rëndësishme.

“Është e pamundshme që zgjedhjet të përfaqësojnë revolucionin ose të rinjtë revolucionarë. Zgjedhjet janë shaka. Nuk e di se si do të sigurohen zgjedhjet, kur ata nuk janë në gjendje të na sigurojnë neve. Megjithatë, vota e secilit person është e drejtë e tij. Nëse ju nuk votoni, atëherë nuk keni të drejtë të ankoheni më vonë”, thotë Shara. (f.b.)


Zgjedhjet në Egjipt
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00
XS
SM
MD
LG