Ndërlidhjet

Obama kërkon vendosmëri ndaj krizës


Rompuj, Obama dhe Baroso - Uashington, 28 nëntor 2011.
Rompuj, Obama dhe Baroso - Uashington, 28 nëntor 2011.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, mbrëmë në Uashington, ka kërkuar nga zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian që të veprojnë në mënyrë të vendosur lidhur me krizën në rritje të borxheve të Eurozonës.

Zoti Obama nuk ka specifikuar se çfarë aksionesh ka kërkuar, por, megjithatë, ka premtuar ndihmën amerikane.

“U komunikova atyre se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta bëjnë pjesën e tyre, për t’i ndihmuar ata në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Kjo është e rëndësisë së madhe për ekonominë tonë. Nëse Evropa tkurret ose nëse Evropa ka probleme, është shumë më vështirë për ne të krijojmë punë të mira këtu në shtëpi”, ka thënë Obama, duke folur së bashku me presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuj, dhe me presidentin e Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso.

Por, bisedimet duket se ishin më direkte prapa dyerve të mbylluara.

Uashington, 28 nëntor 2011.
Uashington, 28 nëntor 2011.
Amabasadori amerikan në Bashkimin Evropian, Uillijem Kinard, u ka thënë agjencive të lajmeve se “presidenti disa herë e ka bërë të qartë - e këtë e bëri edhe kësaj radhe - se ai dëshiron të shohë aksion më të fuqishëm, të shpejtë dhe më të vendosur nga liderët evropianë”.

“Në bisedat private ne kemi hyrë në detaje se çka mund të bëhet”, ka thënë Kinard.

Kryetari i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso, ka dhënë një pasqyrë të shkurtër të diskutimeve private, duke thënë se Evropa po ndërmerr aksione për krizën e saj të borxheve, por vendimet e tilla nuk mund të merren në shpejtësi.

“Ne jemi absolutisht seriozë lidhur me shkallën e sfidës. Ne e kuptojmë sfidën, por ju duhet ta kuptoni se ndonjëherë disa vendime kërkojnë kohë. Ne jemi duke ecur në atë drejtim dhe ne, në fakt, po ndërmarrim masa të fuqishme për situata të paprecedente”, ka thënë Baroso.

Nga ana e tij, presidenti i BE-së, Van Rompuj, ka thënë se, në përgjigje të krizës së borxheve të Evropës, BE-ja ka ndërmarrë “vendime që ishin të paimagjinueshme para një viti”.

Ai ka theksuar se të gjitha vendet e BE-së po punojnë në refrorma të ekonomive të tyre, por ka pranuar se “duhet të bëhet më tepër”.

Zoti Rompuj ka thënë se gjatë samitit të ardhshëm të Bashkimit Evropian, do të ketë propozime më ambicioze për reforma.

Më 9 dhjetor unë do të propozoj para shefave të shteteve dhe qeverive një plan se si të forcohet bashkimi ekonomik i hapësirës euro, në proporcion me unionin tonë monetar. Ne synojmë rregulla për disiplinë të fuqishme fiskale dhe ekonomike në të gjitha vendet”, ka thënë Rmpuj. (f.b.)



Lexoni edhe këtë:
Euros po i ikën koha
XS
SM
MD
LG