Ndërlidhjet

Paralajmërojnë masa proporcionale


Jagnjenicë, 28 nëntor 2011.
Jagnjenicë, 28 nëntor 2011.
Dhuna e serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it, e një dite më parë në Jagnjenicë, ka bërë që shkurtimisht të vijë në Kosovë komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali Samuel Loklir, i cili përçoi mesazhin se dhuna është e papranueshme dhe se KFOR-i rezervon të drejtën që t’i mbrojë me të gjitha masat ushtarët e vet.

Ai tha se “njerëzit që u shkaktojnë dëm ushtarëve të KFOR-it, nuk janë demonstrues paqësorë e as që punojnë për të ofruar zgjidhje të mira”.

“Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga ‘elemente kriminale’, të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë. Si rezultat i kësaj, ushtarët janë lënduar”, tha Loklir.

Samuel Loklir - Foto nga arkivi
Samuel Loklir - Foto nga arkivi
Ai kërkoi përmbajtje nga palët, ndërsa nënvizoi se zgjidhja për veriun, tashmë të bllokuar nga barrikadat, duhet të gjendet në dialogun politik.

“Më lejoni të them se zgjidhja për veriun duhet të gjendet përmes dialogut politik. Ajo që NATO-ja dhe forcat e KFOR-it mund të bëjnë, është që të përpiqen të ofrojnë një ambient paqësor, për të mundësuar një dialog të suksesshëm”, tha admirali Loklir në një konferencë për gazetarë, të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës.

Në anën tjetër, dhuna ka vazhduar edhe në ditën e sotme në Jagnjenicë, vend ku, një ditë më parë, nga përplasja e serbëve me KFOR-in u lënduan 30 ushtarë. Dy nga ta u plagosën me armë zjarri, e të tjerët me koktej molotovi dhe mjete të tjera shpërthyese.

Sipas zëdhënësit të KFOR-it, Frenk Martin, sot, serbët përdorën gaz lotsjellës kundër ushtarëve.

“Protestuesit janë përpjekur të ngrenë një rrugë alternative. Ata zbrazën dy kamionë me zhavorr e dhe. Ata sërish përdorën gaz lotsjellës kundër trupave të KFOR-it. Për ta mbrojtur veten, ushtarët e KFOR-it përdorën po ashtu gaz lotsjellës. Situata nuk është më e qetë”, i tha Radios Evropa e Lirë Martin.
Po qe se përdoren mjete vdekjeprurëse ndaj ushtarëve tonë, atëherë KFOR-i mund të reagojë edhe më me vendosmëri dhe mbi nivelin e përdorimit të armëve jovdekjeprurëse.

Ndërkaq, komandanti i KFOR-it, Erhard Drevs, potencoi se KFOR-i do të përdorë masa proporcionale, nëse ushtarët e tij iu nënshtrohen sulmeve me armë vdekjeprurëse.

“Po qe se përdoren mjete vdekjeprurëse ndaj ushtarëve tonë, atëherë KFOR-i mund të reagojë edhe më me vendosmëri dhe mbi nivelin e përdorimit të armëve jovdekjeprurëse, me qëllim që të pengojë viktima të tjera”, tha Drevs në konferencën e përbashkët për media me admiralin Loklir.

Përdorimi i gazit lotsjellës dhe hedhja e zhavorrit në rrugë nga ana e serbëve sot në Jagnjenicë, erdhën pak orë pasi që presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, bëri thirrje që të largohen barrikadat, ndërsa nga KFOR-i kërkoi ndërprerjen e aksionit për heqjen e barrikadave.

“Në këtë situatë vetëm ekstremistët kanë dobi dhe në një atmosferë të këtillë problemet nuk zgjidhen dot”, u tha Tadiq gazetarëve në Beograd.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se barrikadat do të hiqen, nëse për këtë është më e vendosur politika e Beogradit zyrtar.

“Heqja e barrikadave është obligim i Serbisë, sepse ajo i ka inkurajuar deri tani. Ajo mund të mos ketë kontroll të qindpërqindtë ndaj gupeve kriminale, por një qëndrim i qartë i Serbisë do të ndihmonte shumë që të mos jetë i domosdoshëm përdorimi i forcës proporcionale dhe dhunës”, tha Rexhepi.

As dhuna e djeshme dhe as përplasjet e mëhershme, me ç’rast kanë mbetur të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it, nuk janë pasuar me arrestime të kryesve të krimit. Në EULEX premtojnë se do të kryejnë hetime.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore.

Dhuna dhe tensionet janë të vazhdueshme, ndërsa serbët kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në veriun e banuar me shumicë serbe.

Veriu, që nga paslufta, kontrollohet nga strukturat paralele serbe, të financuara nga Qeveria e Serbisë në Beograd.


Përleshjet në veri, 28 nëntor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00
XS
SM
MD
LG