Ndërlidhjet

Dëmet e luftës: Kosova të padisë Serbinë


Ilustrim me pamje arkivore

Ilustrim me pamje arkivore

Mahir Berisha, rreth 70 vjeç, jeton në Prishtinë. Deri para luftës ai ka pasur edhe një shtëpi në qytetin e Pejës, por që është djegur nga forcat serbe në vitin 1998.

Berisha thotë se nuk ka bërë ndonjë vlerësim të dëmeve apo padi eventuale për kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

“Është e djegur shtëpia totalisht dhe nuk ka mbetur asgjë. E kemi pasur shtëpinë e shtrenjtë, por nuk e kemi vlerësuar dëmin. Padi nuk kemi ngritur, për shkak se askush nuk ka kërkuar një gjë të tillë”, thotë ai.

Brahim Sejdiu është po ashtu viktimë e luftës. Dëmi nga shkatërrimi i shtëpisë së tij arrin në 30 mijë euro.

“Gjatë luftës, ushtarët kanë dalë nga kazermat dhe kanë hyrë nëpër shtëpi në lagjen Arbëria (Prishtinë). Shqiptarët nuk kanë mundur të hyjnë në Arbëri - komplet ka qenë e ushtrisë”, thotë ai.

Sipas disa shënimeve që posedon Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), gjatë periudhës 1998-1999, 14,000 persona janë vrarë - afër 1,800 nga të cilët ende figurojnë të pagjetur - rreth 120,000 shtëpi e objekte afariste janë shkatërruar dhe djegur tërësisht dhe afër 800,000 persona janë dëbuar nga Kosova.

Autoritetet ende nuk kanë bërë ndonjë vlerësim zyrtar të dëmeve materiale, edhe pse, sipas të dhënave të disa ekspertëve të ekonomisë, dëmet që Serbia i ka shkaktuar Kosovës llogariten të jenë deri në 15 miliardë euro.


Të kërkohet kompensim!

Njohës të çështjeve ekonomike dhe të të drejtave të njeriut thonë se institucionet kosovare duhet të kërkojnë nga shteti i Serbisë kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Rasti më i mirë për ta ngritur këtë çështje, sipas tyre, kanë qenë bisedimet që janë duke u zhvilluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

Behxhet Shala, nga KMLDNJ, thotë se për këtë çështje mungon interesimi dhe angazhimi i autoriteteve përgjegjëse.

“Nuk është marrë askush në mënyrë eksplicite vetëm me dëmet materiale. Ka munguar iniciativa dhe nuk ka pasur vullnet as institucional, as ndërkombëtar. As qytetarët nuk kanë qenë të informuar se duhet të paraqesin padi për dëmet e luftës“, thotë Shala.

Instituti “Riinvest”, në vitin 1999, ka realizuar një projekt në gjithë Kosovën, lidhur me efektet e dëmeve të luftës te bizneset dhe ekonomitë familjare.

Raporti i nxjerrë i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe është prezantuar në kuadër të negociatave për statusin e Kosovës, që janë zhvilluar në vitin 2006, në Vjenë.

Muhamet Mustafa, nga “Riinvest”-i, ka qenë koordinator i ekipit për çështje ekonomike në Grupin Negociator në Vjenë. Ai nuk tregon shumën e dëmeve, por pranon se janë konstatuar dëme shumë të mëdha.

Mustafa thotë se qeveria, tani kur Kosova është shtet, e ka më lehtë të kërkojë kompensimin e dëmeve.

“Askush nuk mund t’i falë dëmet që janë bërë në ekonominë private. Shteti ndoshta mund të jetë gjeneroz dhe të mos kërkojë diçka për dëmet që janë bërë në pronën publike, por njerëzit për pronën private duhet të kërkojnë zhdëmtimin”, shprehet Mustafa.

Remzije Istrefi, ligjëruese e të drejtave të njeriut në Fakultetin Juridik dhe të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se shteti dhe individët kanë të drejtë të nisin procedurat për kompensimin e dëmeve të luftës.
...të bëhet një vlerësim i përafërt i asaj se çka vërtet ka ndodhur dhe me statistika të sakta të kërkohet shpagimi i dëmeve.

“Krejt çka duhet është një koordinim i mirëfilltë i autoriteteve kosovare, në bashkëpunim me shoqërinë civile, në mënyrë që të bëhet një vlerësim i përafërt i asaj se çka vërtet ka ndodhur dhe me statistika të sakta të kërkohet shpagimi i dëmeve”, thekson Istrefi.

Qeveria e Kosovës, në muajin prill të këtij viti, ka themeluar Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, i cili do të hulumtojë krimet e kryera në periudhën 1990-1999.

Driton Lajçi, këshilltar politik i ministrit të Drejtësisë, thotë se instituti ka nisur punën, porse “ende nuk ka ndonjë statistikë të saktë”.

Driton Lajçi

Driton Lajçi

Ai po ashtu thotë se Kosova do ta padisë Serbinë për dëmet e shkaktuara gjatë periudhës së luftës.

“Ky është interes i shtetit të Kosovës, por në kuadër të kompetencave i takon Prokurorisë së Shtetit. Ne po përpiqemi që në një të ardhme të afërt, prokurorin e shtetit ta veshim edhe me kompetenca ndërkombëtare, në mënyrë që ai zyrtarisht të ketë të drejtë të ngre padi kundër Serbisë për dëmet e luftës”.

“Por, kjo çështje është mjaft komplekse, kërkon edhe trajtim serioz për faktin se do të duhej të kalonte edhe në sferën e institucioneve ndërkombëtare”,
thotë Lajçi.

Por, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, më herët pat deklaruar se padia do të ngrihej kur Kosova do të mund ta bënte këtë si vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një organizatë joqeveritare në Skenderaj, e quajtur “Ngritja e Zërit” dhe që merret me parashtrimin e kërkesave për kompensim të dëmit, ka ngritur paditë e para për kompensimin e dëmeve të shkaktuara dhe ato i ka dorëzuar në gjykatën komunale të këtij qyteti.

Ndërsa, në gjykatën komunale të Istogut, 1,800 kryefamiljarë serbë kanë kërkuar nga komuna, KFOR-i dhe ish-misioni i administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara që t’ua kompensojnë dëmet e shkaktuara gjatë luftës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG