Ndërlidhjet

Shoqëri civile për interesa të donatorëve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë
Shoqëria civile ka qenë dhe mbetet e ndikuar nga politika dhe donatorët që mbështesin projektet e saj, thonë përfaqësues të lëvizjeve dhe organizatave joqeveritare në Kosovë.

Avni Zogiani, nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – ÇOHU, thotë se ka një pjesë të shoqërisë civile që funksionon. Por, megjithatë, ajo nuk ka arritur të ndikojë sa duhet në ndaljen e trendeve negative, qoftë në punën e institucioneve apo edhe në trendet negative në shoqëri, thotë ai.

Nisur nga ky fakt, Zogiani mendon se shoqëria civile do të duhej t’i analizonte sjelljet e saj dhe të ndryshonte qasjen.

“Nëse ne në vazhdimësi konstatojmë se dika është keq, por në fakt nuk kemi arritur të ndikojmë me asnjë gjë, besoj se ka vend për t’u menduar për një qasje tjetër edhe të vetë shoqërisë civile”, thotë Zogiani.

Formimi i një numri të madh të organizatave joqeveritare si qëllim parësor mund të ketë pasur thithjen e donacioneve, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Avni Zogiani mendon se donatorët, jo rrallë, përpiqen që me mjetet që mbështesin projektet, t’i orientojnë kahet e punës dhe qëllimet e shoqërisë civile.
Shoqëria civile në Kosovë është determinuar nga objektivat e donatorëve dhe nuk ka pasur lidhje me problemet që i preokupojnë qytetarët e Kosovës.

“Për një kohë tepër të gjatë, shoqëria civile në Kosovë është determinuar nga objektivat e donatorëve dhe nuk ka pasur lidhje me problemet që i preokupojnë qytetarët e Kosovës. Mendoj se problem tjetër është afrimi i tepërt i shoqërisë civile me politikën, e cila në shumicën e rasteve është motivuar edhe nga vetë donatorët. Problemi qëndron në atë se një pjesë e shoqërisë civile është krijuar më shumë për tërheqjen e fondeve, sesa për ndonjë qëllim të caktuar”, thekson Zogiani.

Një mendim të ngjashëm ka edhe Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol. Ai thotë se pretendimi i shoqërisë civile për përfaqësimin e interesave të qytetarëve nuk është përmbushur, pasi donatorët kryesisht i kanë orientuar diskurset e tyre publike karshi problemeve, me të cilat janë ballafaquar dhe po ballafaqohen qytetarët dhe shoqëria kosovare në përgjithësi.

“Funksioni i organizatave të shoqërisë civile nga viti 1999 e këndej ka pasur këtë problem që nuk është orientuar nga nevojat reale të qytetarëve, por nga nevojat që donatorët e ndryshëm kanë pasur në Kosovë, në agjendat e tyre, e që kanë qenë në kuptim të menaxhimit të konflikteve”, thotë Zogaj.

Ngjashëm me punën dhe angazhimin e institucioneve dhe mekanizmave tjerë, edhe shoqëria civile e ndan aktivitetin e vet pas vitit 1999 deri në shpalljen e pavarësisë dhe aktivitetin e shënuar pas shpalljes së pavarësisë.

Petrit Zogaj thotë se për më shumë se tre vjet të pavarësisë, shoqëria civile që angazhohet për interesat e qytetarëve, është orientuar kryesisht kah parandalimi i dukurive negative, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Lëvizja Fol funksionon dhe do të funksionojë kryekëput në politikat anti-korrupsion, në monitorimin e institucioneve, në kërkesën për transparencë, në çështjet që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike në mënyrë të efektshme dhe të përgjegjshme dhe në ndërtim të institucioneve, të cilat një ditë do të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin publik sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, thekson Zogaj.

Shoqëria civile në Kosovë, në shumicën e rasteve, është përkufizuar vetëm në suazat e organizatave joqeveritare, duke mos i përfshirë aty edhe mediat, sindikatat dhe organizimet e ndryshme qytetare. Kurse, funksioni i saj kryesisht është mbështetur dhe varur nga donatorët e jashtëm.
XS
SM
MD
LG