Ndërlidhjet

Maqedoni: Optimizëm për vendimin e GJND-së


Trupi i gjykatësve të GJND-së - Foto arkivi

Trupi i gjykatësve të GJND-së - Foto arkivi

Derisa drejtuesit e institucioneve shtetërore presin në heshtje vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me padinë ndaj Greqisë për bllokimin e procesit integrues, ekspertët e së drejtës ndërkombëtare nuk përjashtojnë mundësinë që vendimi të jetë në favor të Maqedonisë.

Vendimi, sipas ekspertit Bekim Kadriu, tashmë është sjellë, por vetëm pritet publikimi i tij zyrtar më 5 dhjetor. Kadriu thotë se, në rast se vendimi është pozitiv, kjo do të kishte efekte të mëdha pozitive në procesin e integrimit të vendit.

“Nëse gjykata konstaton shkelje, nëse shkelja ka të bëjë me veton që e aplikoi Greqia në samtin e Bukureshtit, nëse gjykata konstaton se vetoja paraqet shkelje, sipas mendimit tim, obligimi kryesor që gjykata do t'ia imponojë Greqisë, është obligimi që një shkelje të tillë të mos e përsërisë”.

“Nëse kemi një vendim të këtillë nga njëra anë dhe duke e ditur se pas vendimit të këtillë të gjykatës qëndron Këshilli i Sigurimit i OKB-së, atëherë Greqia nuk do të mund të bllokojë Maqedoninë në integrimet euroatlantike”,
thotë Kadriu.

Sipas tij, vendimi i tillë i GJND-së do të vihej në sprovë për Greqinë qysh në samitin e dhjetorit të Bashkimit Evropian, kur sërish do të diskutohet hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE.

Athinë

Athinë

Nëse Greqia respekton vendimin, atëherë mund të caktohet data për bisedime me BE-në. Në rast të këtillë, Maqedonia mund të llogarisë edhe në anëtarësimin e saj në NATO në samitin e ardhshëm të aleancës, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Çikago.

Por, ekspertët thonë se një variant i tillë është vështirë të realizohet, pasi Greqia do të bëjë çmos që të relativizojë vendimin e GJND-së, përkundër obligimeve që dalin nga procesi i ngritur ndaj saj.

Çështja kryesore, sipas Bekim Kadriut, ka të bëjë me emrin që është edhe kontesti kryesor mes dy vendeve. Ai thotë se Greqia është e vetëdijshme se në rast të heqjes së vetos, çështja e emrit mund edhe të mos zgjidhet, ndërsa Maqedonia të arrijë synimin e saj - anëtarësimin në BE dhe NATO.

“Nëse Greqia e respekton vendimin e gjykatës dhe nuk e pengon procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, atëherë çështja e kontestit, sipas mendimit tim, do të relativizohet. Maqedonia, në një situatë të këtillë, nuk do të jetë e interesuar për zgjidhjen e kontestit, pasi integrimet e saj nuk do të jenë të bllokuara nga Greqia”, thotë Kadriu.

Lidershipi shtetëror ende nuk është prononcuar lidhur me pritjet e vendimit të GJND-së. Ai nuk ka komentuar as shkrimet e fundit në mediat greke se vendimi tashmë është miratuar dhe se është në favor të plotë të Maqedonisë. Në këtë drejtim, presidenti Gjorgje Ivanov ka deklaruar:

“Ne jemi në pritje të vendimit të gjykatës. Si do që të jetë, ne si shtet do ta respektojmë atë. Pra, deri në shpalljen e mendimit të gjykatës nuk do të komentojmë, ndërsa të gjitha komentet e deritanishme që u paraqitën në mediat greke, mund t’i cilësojmë si spekulime dhe tentim për ushtrim të presionit”.

Në opinionin e Maqedonisë është përcjellë me interes të madh shkrimi i një dite më parë i gazetës greke ‘Katimerini’ me titullin: ‘Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dënoi Greqinë’.

Gazeta, duke iu referuar burimeve anonime, ka shkruar se GJND-ja ka vendosur në favor të Maqedonisë, duke konstatuar shkeljen nga ana e Greqisë të Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995, me të cilën ajo obligohej që të mos e bllokonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, me emrin e përkohshëm IRJM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë).
XS
SM
MD
LG