Ndërlidhjet

Kreu i misionit të OKB-së në Kosovë dënon dhunën në veri


Kreu i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka paralajmëruar se tensionet në pjesën veriore të Kosovës janë aq të larta tani sa që dhuna serioze mund të shpërthejnë në çdo kohë.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif foli dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së - një ditë pas përleshjeve mes serbëve dhe paqeruajtësve, ku mbeten të lënduar 30 ushtarë të NATO-s dhe rreth 100 serbë.

Dhuna ndodhi kur NATO filloi të hiqte barrikadat e ngritura nga serbët.

I dërguari i OKB-së e përshkroi pjesën veriore të Kosovës si "jashtëzakonisht të paqëndrueshme".

Ai tha se "faktorë të kombinuar të frustrimit, frikës dhe mosbesimit munden që lehtësisht dhe shpejt të sigurojnë shkëndija që mund të shkaktojnë dhunë".

Zarif, tha se tensionet e rritura u shkaktuan pjesërisht nga politika e zgjedhjeve në Serbi që pritet të mbahen në pranverën e ardhshme, si dhe nga ajo që ai e quajti "dinamika aktuale politike" e qeverisë kosovare të dominuar nga shqiptarët.

Ai bëri thirrje për "udhëheqje të fortë e të bashkuar nga bashkësia ndërkombëtare", në përpjekje për të ulur tensionet etnike në Kosovë.
XS
SM
MD
LG