Ndërlidhjet

logo-print

Barrikadat ende “gjallë”


Ura qendrore në Mitrovicë

Ura qendrore në Mitrovicë

Pas incidenteve të dy ditëve të fundit në veri të Kosovës, ku janë plagosur dhe lënduar rreth 30 ushtarë të forcave të KFOR-it, situata sot në terren raportohet të jetë më e qetë.

Autoritetet e rendit thonë se gjatë natës, por edhe në paraditen e sotme, nuk është raportuar ndonjë incident. Njëri nga zyrtarët për informim në KFOR, Dan Harvi, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja në veri të Kosovës aktualisht është e qetë.

“Situata në këtë mëngjes është e qetë. Nuk ka pasur ndonjë incident që nga pasditja e djeshme e vonë”, tha Harvi.

Edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se në përgjithësi situata në veri është e qetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se ngjarjet që kanë ndodhur në fshatin Jagnjenicë, nuk kanë ndikuar në pjesët e tjera të veriut të vendit.

Besim Hoti

Besim Hoti

“Sa u takon orëve të fundit, Policia e Kosovës nuk ka regjistruar incidente, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në rrezikimin ose cenimin e sigurisë së përgjithshme në rajonin e Mitrovicës. Ngjarjet e fundit, pas aksionit të KFOR-it në fshatin Jagnjenicë, përkatësisht në rrugën që lidh komunën e Zubin Potokut me Zveçanin, nuk kanë reflektuar në komunat tjera apo, më mirë thënë, në lokacionet e banuara me popullatë të përzier, çfarë ishte edhe shqetësimi kryesor i strukturave të sigurisë”, tha Hoti.

Megjithatë, ai bëri të ditur se në vendbanimet ku ka popullatë të përzier me shqiptarë e serbë janë ngritur masat e sigurisë.

“Policia e Kosovës ka ngritur vigjilencën kryesisht në zonat e banuara me popullatë të përzier ose edhe rreth objekteve vitale të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare në veri të Kosovës”, tha Hoti.

Ndryshe, për dy ditë radhazi në veri të Kosovës, përkatësisht në fshatin Jagnjenicë, derisa KFOR-i ka tentuar të largojë një barrikadë, kanë ndodhur përplasjet në mes të serbëve dhe misionit paqeruajtës, ku janë lënduar 30 ushtarë.

Dy nga ta u plagosën me armë zjarri, e të tjerët me koktej molotovi dhe mjete të tjera shpërthyese. Po ashtu raportohet edhe për lëndime të banorëve serbë të veriut të Kosovës.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore. Barrikadat edhe sot vazhdojnë te ruhen nga serbët e asaj ane, tha zëdhënësi Hoti.

“Barrikadat vazhdojnë te jenë ato të ngjashmet, ka prezencë fizike të ekstremistëve serbë afër barrikadave, jo në të gjitha, por në ato kryesoret, në urën kryesore, në Jagnjenicë, në fshatin Rudari i Madh...”, tha Hoti.

Dhuna dhe tensionet në veri janë të vazhdueshme, ndërsa serbët kundërshtojnë shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare në këtë pjesë të vendit.

Lexoni edhe këtë:
Edhe 23 ushtarë të lënduar
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG