Ndërlidhjet

logo-print
Sipas autoriteteve të rendit, substancat narkotike, të konfiskuara nga Policia e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, janë: 33 kilogramë heroinë, 87 kilogramë kanabis, 2.5 kilogramë hashash, 691 copë ekstazi dhe 3 kilogramë droga të tjera.

Sabrie Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës, thotë se çdo ditë arrestohen persona që merren me trafikim të substancave narkotike.

“Në baza ditore kemi raste që kapen nga policia - persona të dyshuar që posedojnë substanca narkotike. Ata arrestohen dhe, në konsultim me prokurorin, u caktohet masa e ndalimit prej 48 orësh. Varësisht nga sasia e narkotikëve që i është gjetur, personit i jepet dënimi i merituar”, sqaron Kamberi.

Safet Blakaj, drejtues i qendrës rehabilituese nga droga “Labirinthi”, pohon se këtë vit ka ngritje të numrit të personave që përdorin substanca narkotike. Sipas tij, për dallim nga vitet e mëparshme, këtë vit ka pasur të regjistruar persona që përdorin ekstazi, kokainë, si dhe keqpërdorin me ilaçe që përdoren kryesisht për klinikën e psikiatrisë.

“Ky vit shpreh ngritjen e numrit të përdoruesve të drogës. Dilerët e drogës, sipas mendimit tim, duhet të shkojnë në ndonjë trajtim të obligueshëm, ose të shkojnë në burg. Kjo praktikë te ne mungon plotësisht”, thotë Blakaj.

Për këtë çështje janë të shqetësuar edhe qytetarët. Besa Krasniqi, me profesion juriste, thotë se dukuria e shitblerjes së drogës nuk po luftohet sa duhet nga institucionet relevante.

“Marrë parasysh rritjen e numrit të personave që përdorin substanca narkotike, marrë parasysh rritjen e numrit të vdekjeve të personave që përdorin substanca narkotike, si dhe faktin që gjykatat nuk po funksionojnë fare, të bën të kuptosh se nuk ka bashkëpunim brendapërbrenda institucioneve”, thotë Krasniqi.

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës

Por, Sabrie Kamberi, nga Policia e Kosovës, hedh poshtë deklaratat që flasin për mosluftimin e kësaj dukurie. Ajo thotë se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë arrestuar 196 persona, 113 janë ndaluar, ndërsa janë hetuar 114 persona që trafikojnë substanca narkotike.

“Shihet se ka një numër të konsiderueshëm të personave që merren me trafikim të drogës dhe ne, si Polici e Kosovës, kemi një bashkëpunim të mirë edhe me organizatën ‘Labirinthi’, që na ndihmon ta luftojmë këtë dukuri negative”, thotë Kamberi.

Psikologët thonë se përdorimi i substancave narkotike, sidomos te moshat e reja, lë pasoja shumë të mëdha. Sipas tyre, mosha më e re që përdor drogë, si kanabis, është 12 vjeç, ndërsa rreth 17 vjeç sillet mosha e atyre që përdorin droga, të cilat shkaktojnë varshmëri të menjëhershme.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG