Ndërlidhjet

Përpjekje për marrëveshje


Bruksel
Bruksel

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, i nisur të mërkurën në mëngjes, ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërkohë që burime të Bashkimit Evropian konfirmojnë se gjatë ditës janë orvatur që palët të arrijnë marrëveshje rreth disa pikave.

Sipas burimeve nga BE-ja, tema kryesore të debatit në dialog kanë qenë integrimi i menaxhuar i kufirit dhe përpjekja e Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje rreth pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale që është në kuadër të temës “Bashkëpunimi rajonal”.

Para se të nisej dialogu, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kishin thënë se nuk do të jetë lehtë që të arrihet marrëveshje dhe se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës e kishin komplikuar atmosferën për të arritur marrëveshje.

Sidoqoftë, gjatë tërë ditës burimet nga Bashkimi Evropian kanë thënë se e mërkura e 30 nëntorit është ditë mjaft e rëndësishme dhe kanë insistuar që deri në fund të ditës të arrihet një lloj pajtimi.

Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq
Edita Tahiri dhe Borisllav Stefanoviq
Bashkimi Evropian, ditën e mërkurë dhe këtë raund të dialogut e konsideron posaçërisht të rëndësishëm pasi që javën që vjen ministrat e Jashtëm të BE-së do të vendosin a do t’i jepet apo jo Serbisë statusi i kandidatit.

Të mërkurën, disa ministra të BE-së, përfshirë edhe ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Samuel Zhbogar, kanë thënë qartë se një përparim në dialog dhe rezultatet konkrete në të, do të rrisin dukshëm gjasat e Serbisë që të marrë statusin e kandidatit.

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, duke folur në një konferencë për Ballkanin, ka thënë se Serbia e meriton statusin e kandidatit dhe se Komisioni Evropian kishte rekomanduar që ky status t’i jepet duke nënkuptuar se Serbia kthehet në dialog.

Fyle ka thënë se dialogu ka filluar, Serbia është rikthyer, prandaj ai pret që me përmbylljen e këtij raundi të dialogut, të mund të raportojë te vendet anëtare arritjen e përparimit dhe të argumentojë dhënien e statusit të kandidatit Serbisë.

Sido që të jetë, në këtë moment në BE pohojnë se nuk janë të sigurt se si do të veprojnë ministrat e Jashtëm të BE-së, e më pas edhe shefat e shteteve anëtare të saj.

Ndërkohë, sa i përket dialogut, të mërkurën kanë ardhur porosi nga disa qarqe të BE-së se nuk do të mjaftojë vetëm të arrihen marrëveshjet, por ato duhet edhe të zbatohen.

Duke folur rreth kësaj, Fyle ka thënë se “palët që pranojnë të hyjnë në dialog, në një mënyrë pranojnë të arrijnë edhe marrëveshje dhe kur pranojnë marrëveshjet, duhet të pranojnë që ato edhe të zbatohen”.

Sa i përket palës kosovare, deri më tani në BE kanë pohuar se ajo ka qenë konstruktive në dialog dhe se presin që pa marrë parasysh në këtë raund, dhe çfarë ndodh javën që vjen në diskutimet e vendeve të BE-së, të dyja palët të vazhdojnë dialogun në mënyrë konstruktive.
XS
SM
MD
LG