Ndërlidhjet

Ndryshim politike brenda nate


Boris Tadiq
Boris Tadiq
Thirrjes së presidentit serb Boris Tadiq për heqjen e barrikadave i janë bashkuar tashmë edhe zyrtarë tjerë të Qeverisë serbë, si ministri i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, si dhe shefi i ekipit negociator Borisllav Stefanoviq.

Ky ndryshim i politikës së Beogradit ndaj gjendjes në veri nuk u bën përshtypje zyrtarëve në Prishtinë, të cilët çdoherë kanë shfaqur bindjen se prapa barrikadave dhe strukturave paralele në veri qëndron politika zyrtare e Beogradit.

Këshilltari i presidentes, Ilir Deda, thotë se qytetarët e vendosur në barrikada kanë qenë gjatë gjithë kohës të mbajtur peng dhe nuk kanë qëndruar aty me dëshirë.

Ilir Deda
Ilir Deda

“Është e qartë se barrikadat nuk janë zgjidhje dhe këtë e kanë të qartë edhe një numër i madh i qytetarëve serbë në veri. Fatkeqësisht, janë peng dhe qëndrojnë në ato barrikada kundër vullnetit të tyre. Së bashku me bashkësinë ndërkombëtare duhet të gjendet një zgjidhje që të normalizohet situata në veri dhe dalëngadalë të kthehet apo të fillojë të ndërtohet besimi ndërmjet qytetarëve serbë në veri dhe institucioneve të Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ilir Deda.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha se është obligim i Serbisë heqja e barrikadave, pasi, sipas tij, Beogradi ka mbështetur barrikaduesit, ashtu siç vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele.

Por, ndryshimi aktual i politikës së presidentit Tadiq ndaj vendosjes së barrikadave, kritikohet rëndë nga politikanë serbë të veriut.

Njëri nga ta, Marko Jakshiq, thotë se ky është një hap taktik i Tadiqit, sa për të fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Edhe zogjtë, edhe fëmijët e vegjël në veri e dinë se presidenti e ka dërguar një mesazh të tillë për të marrë kandidaturën për në BE...



“Sigurisht se edhe zogjtë e dinë. Më 9 dhjetor duhet të merret vendimi për statusin e kandidatit të Serbisë për në BE. Edhe zogjtë, edhe fëmijët e vegjël në veri e dinë se presidenti e ka dërguar një mesazh të tillë për të marrë kandidaturën për në BE. Kjo qeveri është në fund të mandatit, dhe ky regjim është kah fundi. Po të ishte në fillim, mbase do të kishte ndonjë lloj fuqie. Për fatin tonë, ata janë në fund, edhe e vetmja arsye është marrja e statusit të kandidatit, asgjë tjetër”, thotë Jakshiq, duke potencuar se qytetarët e veriut kanë mbetur të habitur, pasi që deri tash ata kanë qenë të obliguar të dalin në barrikada.

“Njerëzit janë kthyer nga pushimi vjetor për të qëndruar në barrikada, ndërsa presidenti përnjëherësh e ndërron në mënyrë drastike politikën e vet, edhe nuk janë arritur qëllimet. Edhe më tej në pikëkalimet administrative vijnë policët dhe doganierët kosovarë. Qytetarët janë të zemëruar, të hidhëruar, të zhgënjyer dhe konsiderojnë se presidenti nuk po bën gjënë e duhur”, shprehet Jakshiq.

Ndërkaq, Dragisha Milloviq, përfaqësues politik i serbëve të komunës së Zveçanit, thotë se duhet një shpjegim më i madh për ndryshimin politikës, siç thotë ai, brenda natës.

“Na duhen më shumë informacione, të shohim ndërkohë mos ka pasur ndonjë marrëveshje, a është ky kthim i gjendjes para 25 korrikut, siç kërkohej në deklaratën e Kuvendit të Serbisë. Na duhen më shumë informacione, që përfaqësues të Qeverisë së Beogradit të vijnë dhe t’i shpjegojnë popullit se çka ka ndodhur në ndërkohë”, thotë Milloviq.

Në anën tjetër, analisti për çështje politike dhe të sigurisë, Arben Qirezi, vlerëson se në ndryshimin e politikës së Tadiqit mund të kenë ndikuar dy gjëra.

“E para, është presioni në rritje ndaj Serbisë nga ana e BE-së rreth qasjes më konstruktive që duhet ta ketë Serbia para se ta marrë statusin e kandidates. Por, po ashtu, është shenjë që tregon se edhe Beogradi e ka kuptuar se politika e tij ndaj veriut të Kosovës, e ka humbur legjitimitetin tërësisht dhe se praktikisht me këtë lloj politike Serbia është duke e mbajtur peng, jo vetëm Kosovën, por edhe vetveten”, vlerëson Qirezi.

Incidentet në Jagnenicë...
Incidentet në Jagnenicë...

Thirrja e Tadiqit për heqjen e barrikadave erdhi një ditë pasi që në Jagnenicë të Zubin Potokut pati përplasje mes KFOR-it dhe serbëve lokalë, me ç’rast u lënduan 30 ushtarë dhe sipas medieve serbe, edhe dhjetëra civilë serbë.

Tadiq duke u bërë thirrje serbëve për heqjen e barrikadave, tha se “në këtë situatë vetëm ekstremistët kanë dobi”, për të shtuar se ”destabilizimi do të ndikojë jo vetëm në marrjen e statusit të kandidatit për në BE, por edhe në kredibilitetin ndërkombëtar të Serbisë”. Për shkak të gjendjes në veri, Tadiq tha se “Serbia është më larg marrjes së statusit, sesa që ka qenë pardje”.

Barrikadat në veri janë ngritur që nga muaji korrik, pas përpjekjes së Prishtinës zyrtare për të kthyer kontrollin në veri. Që nga korriku e deri tash, dhuna dhe tensionet kanë qenë të vazhdueshme, duke u përcjellë herë pas herë edhe me viktima dhe të plagosur.

Lexoni edhe këto:
Edhe 23 ushtarë të lënduar
Paralajmërojnë masa proporcionale
XS
SM
MD
LG