Ndërlidhjet

Britania mbyll ambasadën e Iranit


Sulmohet ambasada britanike, Teheran
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:03 0:00
(Pamjet tregojnë studentët iranianë teksa sulmojnë ambasadën e Britanisë në Teheran, 29 nëntor 2011)


Britania e Madhe ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të Ambasadës së Iranit në Londër, ndërsa ka mbyllur ambasadën e saj në Teheran, pasi e njëjta është sulmuar nga protestuesit.

“I gjithë stafi diplomatik i Iranit duhet ta lërë Mbretërinë e Bashkuar brenda 48 orëve”, ka thënë sekretari i jashtëm britanik, Uilliam Hejg, para parlamentit të vendit.

“Ne tashmë kemi mbyllur ambasadën britanike në Teheran. Kemi vendosur të evakuojmë gjithë stafin dhe ai tashmë e ka lëshuar Iranin”, ka shtuar Hejg.

Protestuesit iranianë kanë sulmuar të martën ambasadën britanike dhe kompleksin diplomatik në Teheran, duke thyer dritaret dhe duke djegur flamurin e Britanisë së Madhe.

Sulmi ka ndodhur pak ditë pasi Londra ka vendosur sanksione ndaj Iranit, lidhur me programin e tij bërthamor – për të cilin vendet perëndimore dyshojnë se ka për qëllim bërjen e armëve atomike. Irani i mohon akuzat duke thënë se programi i tij ka qëllime paqësore.

Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, ka paralajmëruar “pasoja serioze” pas ngjarjeve të së martës.

Ai e ka cilësuar si “turp” dështimin e autoriteteve iraniane për të mbrojtur ndërtesat britanike më 29 nëntor.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar sulmet “në termat më të ashpër”, përderisa Ministria e Jashtme ruse i ka quajtur ato “të papranueshme”, duke thënë se meritojnë dënim.

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka thënë se është “thellë i shqetësuar” nga dhuna dhe i ka bërë thirrje Iranit të mbajë përgjegjës kryesit e veprës, si dhe t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare për mbrojtjen e ambasadave dhe të diplomatëve.

Ministria e Jashtme në Teheran ka shprehur keqardhje për atë që ka quajtur “sjellje të papranueshme të protestuesve” dhe ka thënë se Irani respekton marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e objekteve diplomatike.

Ndërkohë, Norvegjia ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht ambasadën e saj në Teheran, për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”, por ka thënë se nuk do të tërheqë stafin e saj diplomatik. (v.t.)
XS
SM
MD
LG