Ndërlidhjet

Shutanovac: Serbët në veri të Kosovës t’i largojnë barrikadat


Ministri i mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac, ka vlerësuar sot se gjendja e sigurisë në Kosovë është kritike dhe për këtë arsye është e domosdoshme, që serbët në veri të Kosovës, ta dëgjojnë presidentin Boris Tadiq, dhe t’i largojnë barrikadat nga rrugët.

Këto komente ai i bëri pas takimit me Ministrin e mbrojtjes së Norvegjisë, Espen Bart Eide

Mëtutje Shutanovac theksoi se thirrja e Tadiqit ishte e guximshme dhe veprim burrështetas, që është bërë me qëllim që të mundësohet stabilizimi i gjendjes në Kosovë.

“Nuk mund t’i zgjidhim problemet nëse mbesim të shpërndarë ndëmjet bllokadave dhe lisave, si në Bruksel, ashtu edhe në Kosovë”, tha Shutanovac, i cili i ka bërë thirrje KFOR-it, që të mos e përdorë dhunën për shkatërrimin e barrikadave.

Ministri norvegjez i mbrojtjes Espen Bart Eide, tha se bllokimi i rrugëve nuk e çon Serbinë askund, por ekziston rreziku që procesi i integrimeve evropiane do të ngadalësohet për shkak të kësaj.

Ai ka kërkuar nga të gjitha palët që të jenë fleksibile dhe të përgjegjshme, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet ashtu që të gjithë të jenë të kënaqur.
XS
SM
MD
LG