Ndërlidhjet

Daçiq: Arllov dhe Mitroviq janë arrestuar për mbajtje armësh


Policia e Serbisë, së bashku me Shërbimin informativ të sigurisë, i ka arrestuar dy persona, që janë të dyshuar për mbajtjee të armatimit pa leje, tha ministri i brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Personat e arrestuar janë Momçillo Arllov nga Mitrovica dhe Vuk Mitroviq nga Klladova.

Ditëve të kaluara, mediat në Prishtinë dhe Beograd kanë shkruar se të dy personat e arrestuar, janë veprimtarë të një OJQ-je në Mitrovicë.

“Arllov nuk është deklaruar si pjesëtar i organizatës joqeveritare, siç është shkruar në media”, u tha Daçiq gazetarëve në Beograd dhe shtoi se “i gjithë rasti është përpunuar nga Shërbimi informativ i sigurisë, ndërsa policia ka asistuar dhe e ka kryer pjesën e saj të punës”.

Sipas shkrimit të gazetës Blic, Momçillo Arllov është drejtor i Qendrës për zhvillim të shoqërisë civile në Mitrovicë, ndërsa Vuk Mitroviq është bashkëpunëtor i tij në zyrën e njejtë, në të cilën veprojnë më tepër OJQ.

Ministri Daçiq ka thënë se të dyshuarit janë arrestuar pasi në veturën e tyre ishte gjetur armatim, ndërsa gjyqtari hetues ka urdhëruar paraburgim.

Në media ka pasur raporte, që janë mbështetur në Ministrinë e brendshme të Serbisë, se Arllov dhe Mitroviq, ishin arrestuar natën ndërmjet 2 e 3 nëntorit, afër Negotinit në Serbi, dhe se policia në veturën e tyre kishte gjetur më tepër copë të armatimit “të gjatë dhe të shkurtër”, municion dhe eksploziv.
XS
SM
MD
LG